Modelja shqiptare me famë botërore Angela Martini e shoqëruar dhe nga familjarë të saj ishte në Durrës sot ku zhvilloi një takim me strukturat lokale të qytetit bregdetar.
Ajo u prit nga kryetari në detyrë i bashkisë së Durrësit Zhyljen Varfi, zvministrja e Brendshme Rovena Voda si dhe drejtoresha e Bashkëqeverisjes në kryeministri Eridana Çano.
“Jemi shumë të kënaqur që të kemi sot këtu duke u dhënë një mesazh pozitiv të gjithë bashkëkombësve që u gjendesh pranë në këto momente të vështira”, tha Çano.
Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda, si kryetare e shtabit të Emergjencave për qarkun e Durrësit, e njohu Angela Martinin me punën që po kryhet në të gjitha zonat që u dëmtuan nga tërmeti.
“Është shumë mirë që në momente kaq të vështira shohim figura të dashura për ne, të dimë se në këto momente, banorët e prekur nga tërmeti nuk janë vetëm”, tha zv.ministrja Voda.
Angela Martini e emocionuar falënderoi të gjithë për punën e bërë duke i cilësuar si heronj të vërtetë.
“Ju jeni tamam heronjtë e vërtetë jo unë, sepse unë kam bërë një pjesë shumë të vogël, kurse keni bërë punën e vërtetë. Unë kam qenë shumë e prekur kur e kam marrë vesh për ngjarjen. Unë kam bërë kontributin tim, por duhet të bëj edhe më shumë”, u shpreh Martini.
Ajo tha se, “gjëja që dua të them është se unë besoj te kryeministri shqiptar dhe unë jam e sigurt se do të bëjë të pamundurën për të rindërtuar vendin dhe çdo gjë do të jetë transparente”, tha modelja Angela Martini.
Më pas ajo bashkë me drejtuesit lokalë ka parë nga afër godinat e shembura në zonën e plazhit. Më pas, e shoqëruar nga zv.ministrja Ornela Çuçi, vizitoi një nga komplekset, në të cilin janë akomoduar disa prej familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. /atsh