Loading...

Akademia e Shkencave ngre njësinë e kërkim-studimit në fushën e gjeofizikës e sizmologjisë

Akademia e Shkencave vendosi ngritjen e njësisë së kërkim-studimit në fushën e gjeofizikës e sizmologjisë, e cila do të jetë objekt të punës përcaktimin e masave dhe hartimin e akteve që duhen ndërmarrë e miratuar për futjen e eurokodeve për sigurimin e standardeve në projektimin e strukturave ndërtimore të qëndrueshme ndaj tërmeteve, sipas klasifikimit të objekteve në fushën e ndërtimit.

Kjo njësi u ngrit në mbledhjen e kryesisë së ASH-së mbështetur në ligjin “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, me propozim të prof. Shyqyri Aliaj dhe pëlqimit të Seksionit të Shkencave Natyrore e Teknike.

Njësia përbëhet nga prof. Shyqyri Aliajm drejtues shkencor i njësisë Markel Baballëku, specialiste në fushën e inxhinierisë së tërmeteve e Skënder Allkja, drejtor teknik i kompanisë “Altea Geostadis 2020”, kompani gjeoteknike.

“Veprimtaria e njësisë do të kryhet në dy faza . Së pari përgjithësimi dhe evidentimi i akteve për bërjen efektive e detyruese ligjërisht të rezultateve të studimit të kryer nga prof. Shyqyri Aliaj, Eduard Sulstarova, Siai Koçiu e Betim Muço brenda një periudhe 2-3 mujore. Më tej njësia do të vazhdojë me hartimin e propozimeve konkrete për masat që duhen marrë nga Këshilli i Ministrave e institucionet përkatëse për të kryer zbatimin e plotë të eurokodeve për ndërtim në Shqipëri”, – thekson Akademia e Shkencave.

Sipas ASH-së, koha e veprimtarisë së njësisë është 6 muaj me mundësi rizgjatjeje 6 muaj të tjerë.

“Pranë njësisë do të ftohen si konsulentë specialistë ndër më të njohurit në fushën e ndërtimit e të sizmologjisë sipas propozimit të njësisë. Konkluzionet dhe propozimet e njësisë do të paraqiten në Këshillin e Ministrave dhe Komitetin Shtetëror të Rindërtimit”-, shprehet Akademia e Shkencave.

ASH jep mbështetjen logjistike e mbulon shpenzimet financiare për veprimtarinë e njësisë përfshirë ato për ribotimin e studimit në 200 kopje, ndërsa ky vendim hyn në fuqi menjëherë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com