Shqipëria, Itali dhe Mali i Zi pritet që të rrisin bashkëpunimin mes tyre përmes lidhjeve të reja të transportit ujor për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm në rajon.
“ALMONIT” është projekti që do të afrojë brigjet shqiptare me ato malazeze e italiane.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të projektit trilateral (IPA CBC) Itali-Shqipëri-Mali Zi, do të organizojë një event prezantues për projektin me akronimin “ALMONIT”. Synimi i këtij projekti është vendosja e një bashkëpunimi afatgjatë midis palëve të interesuara, nëpërmjet lidhjeve liqenore dhe detare.
Përmirësimi i transportit ekzistues në rajon dhe ndërtimi i moleve të reja synon të zhvillojë një bashkëpunim të qëndrueshëm ndërkufitar në këto zona.
Për Shqipërinë kjo është ndërhyrja e parë në transportin liqenor, pasi vendi ka vetëm eksperiencën e liqenit Fierza-Koman.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit është partneri kryesor në këtë projekt dhe partnerët pjesëmarrës janë Rajoni i Pulias në Itali, ministria e Transportit dhe Çështjeve Detare në Malin e Zi, Rajoni i Molise në Itali, bashkia e Barit në Mal të Zi, si dhe bashkia Shkodër.
Projekti është i ndarë në të dy anët e detit Adriatiko-Jonian midis Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe në të dy anët e Liqenit të Shkodrës dhe Lumit Buna midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Aktualisht kjo zonë ka pak mundësi për t’u vizituar pasi karakterizohet nga sisteme transporti me ndërveprim të ulët. Kjo gjë ndikon negativisht në lidhjet e brendshme dhe ato rajonale.
Përmes këtij projekti synohet krijimi i një transporti liqenor, i cili do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi në Liqenin e Shkodrës, ose Portin e Virpazar me molin përkatës në Shkodër.
“Katër lidhje transporti ujor do të lidhin Italinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Këto lidhje ujore do të operojnë midis portit të Barit, në Itali me portin Bar në Mal të Zi, porti i Barit në Itali me portin e Shëngjinit në Shqipëri, portin e Barit në Malin e Zi me portin e Shëngjinit dhe portin e Termolit në Itali me Portin e Barit në Mal të Zi.
Përfituesit direkt do të jenë komunitetet lokale dhe autoritetet publike lokale. Këta të fundit do të përfitojnë nga bashkëveprimi social dhe ekonomik, si edhe rritje të aftësive dhe kapaciteteve në menaxhimin e pronave dhe vlerave” njofton FSHZH. Ky projekt parashikohet të zhvillohet në një afat kohor prej 37 muajsh. /atsh