Loading...

Zgjedhjet në PS, voton Rama: Garantohet barazi mes burrave dhe grave

Kryeministri Edi Rama votoi sot në zgjedhjet për delegatët e Kongresit, në qendrën e votimit elektronik në selinë e PS-së.

Në një prononcim për mediet pas votimit, Rama e vlerësoi si të rëndësishëm këtë proces, duke shtuar se ai garanton barazi mes grave dhe burrave në PS.

“Zgjedhjet zhvillohen sot pas një procesi tërësor. Unë doja te fokusohesha te fakti që është një ditë e rëndësishme për konfirmimin e vullnetit tonë për të pasur një parti ku gratë dhe vajzat nga njëra anë dhe burrat e djemtë nga ana tjetër, janë tërësisht të barabartë në mundësinë për t’u zgjedhur, por edhe në hapësirën e zgjedhjes”, tha Rama.

Rama vlerësoi faktin se edhe vendimi më i fundit për të bashkëdrejtuar çdo organizatë me barazi të plotë gjinore është pritur pozitivisht dhe po jep rezultate.

“Natyrisht do të duhet edhe pak kohë që kudo ne të kemi barazi në drejtim dhe si rezultat i kësaj të kemi një proces ku do të kemi barazi në pjesëmarrje. Sot i falënderoj të gjitha gratë dhe vajzat që janë përfshirë në afirmimin e këtij vullneti. I nxis që të bëjnë betejën e tyre në çdo organizatë për të mos lejuar asnjë dominimin burrëror dhe për të shtuar më shumë gra dhe vajza”, tha Rama.

Lidhur me votimin elektronik, Rama tha se “ne kemi përgatitur një proces të tërë përpara zgjedhjeve që kaluan”.

“Në zgjedhjet vendore ne kemi qenë të gatshëm për t’iu përgjigjur me konstruktivitet një kërkese të shumë përsëritur për votimin elektronik, që na ka rezultuar i mundshëm për ta shtrirë në gjithë Shqipërinë. Duhet ta kishim pilotuar në zgjedhjet e shkuara, por ju e dini historinë. Ky është votim elektronik, nuk është online është offline, dhe i papenetrueshëm nga forcat e errëta”, tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com