Presidenti i Republikës, Ilir Meta i është drejtuar sot deputetëve të Kuvendit në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti Meta është shprehur se, “sot është një ditë tepër e rëndësishme për të treguar përgjegjshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.
“Ju e dini që krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga nëntë kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese! Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë ! Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë!”, ka theksuar presidenti Meta.
“Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij”, ka shtuar Meta.
Ndaj, ka nënvizuar ai, “ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!”
“Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!! Përshëndetje nga Forumi i Paqes në Paris!”, ka përfudnuar Meta.
Kuvendi zhvillon sot seancën plenare ku do të diskutohet për projektvendimin “Për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese./atsh