Ish-kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, deklaroi se “besoj fort se nëse tre kandidaturat për anëtare të Gjykatës Kushtetuese do të përzgjidhen, do t’i japin një vlerë të re atij institucioni në shumë këndvështrime”.
Gjatë një interviste, Xhafaj duke folur për seancën dëgjimore të tre kandidateve për anëtare të Gjykatës Kushtetuese në Komisionin e Ligjeve tha se “tre kandidatët që u dëgjuan, bënë një prezantim të shkëlqyer dhe me një maturi për t’u vlerësuar, duke u përballur në disa raste edhe me pyetje të pa matura nga individë që në mungesë të njohjes së çështjes, kishin sjellë në Komisionin e Ligjeve thashetheme gazetash. Personalisht më lanë një ndjesi shumë të mirë jetëshkrimet e secilit kandidat. Ishin jo thjesht të plota në çdo detaj, por edhe ndër më të mirat që kemi shqyrtuar në komision”.
“Kur shoh se çfarë përfaqësojnë ato tre zonja për integritetin, aftësitë profesionale dhe përvojën që gëzojnë në fushën ku duhet të shërbejnë, duke marrë në konsideratë edhe moshën relativisht të re, mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Nëse do t’i krahasojmë CV-të e tyre me ato të ndonjë prej ish-anëtarëve të Kushtetueses, mund të themi me bindje se në këtë rast ja ka vlejtur plotësisht reforma që kemi implementuar. Besoj fort se nëse ato do të përzgjidhen, do t’i japin një vlerë të re atij institucioni në shumë këndvështrime”-, nënvizoi Xhafaj.
Xhafaj tha se “është spekuluar se dy nga kandidatet e miratuara nga KED nuk kanë kaluar vlerësimin elektronik me metodën “Scan Tron” për hyrjen në Shkollën e Magjistraturës. Nuk besoj se ka ndonjë dilemë për të kuptuar që ky është një trill i qëllimshëm për të cenuar procesin”.
Ai ritheksoi se emrat që u prezantuan në komision janë, ndër më të mirët nga cilësitë profesionale dhe integriteti, mes të gjithë kandidatëve të përzgjedhur nga KED.
“Këtë konstatim e kam ndeshur lehtësisht këto ditë edhe në vlerësimet e shumë profesionistëve të fushës”-, shtoi ai.
I pyetur se në relacionin e prezantuar në komision lidhur me kandidatët si dhe dekretin e Presidentit Ilir Meta nuk del e qartë kohëzgjatja e mandatit për secilin prej vakancave, Xhafaj sqaroi se “Kushtetuta flet qartë për këtë rast. Konkretisht Neni 179 por edhe vetë ligji për Gjykatën Kushtetuese, janë mëse të kuptueshëm në sanksionimin e konceptit kushtetues që lidhet me rotacionin e domosdoshëm një herë në tre vjet që kryhet për rifreskimin e një të tretës së trupës së GJ.K. Në këtë kuptim, Kushtetuta ka qenë e detyruar të parashikojë mandate të plota ashtu si edhe mandate të kufizuara ndër vite, në funksion të domosdoshmërisë së kryerjes së rotacionit në trupën e Gjykatës Kushtetuese”.
“Kjo është një kërkesë e kushtetutës dhe e ligjit, ndaj do duhej të jepej e qartë në vendimin e KED, për të vijuar me vendimmarrjen e Presidentit, të Kuvendit dhe më pas të Gjykatës së Lartë, duke specifikuar se cilin vend vakant plotëson çdo anëtar i ri, gjithashtu kohën përkatëse të qëndrimit në këtë detyrë. Nëse kjo nuk bëhet në këtë moment të emërimit, atëherë do të krijonte vështirësi në një moment të dytë siç edhe ka ndodhur në raste të mëparshme. Ndaj duhet reflektuar seriozisht në këtë moment nga organet e emërtesës”-, tha Xhafaj.
Lidhur me pyetjen se Kushtetuta parashikon një afat 30 ditor për reagimin e institucioneve të emërtesës, Xhafaj sqaroi se “sërish kjo është shumë e qartë. Neni 125/2 i Kushtetutës dhe neni 7/b dhe 7/c i ligjit të Gjykatës Kushtetuese nuk lenë asnjë hapësirë për interpretim të ndryshëm”.
“Presidenti dhe Kuvendi kanë një afat 30 ditor për t’u shprehur. Nëse nuk shprehen brenda këtij afati, Kushtetuta dhe ligji e kanë dhënë edhe zgjidhjen. Automatikisht këto organe humbasin të drejtën e emërimit të kandidatit përkatës dhe fitues shpallet kandidati i renditur i pari në listën e KED. Në rastin konkret, KED më 8 tetor i ka drejtuar presidentit të Republikës dy lista me kandidatë për dy vendet vakante që janë për t’u plotësuar prej tij. Më 16 tetor, presidenti ka dekretuar Besnik Muçi si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, ende nuk është shprehur për kandidatin e radhës të listës tjetër. Gjithsesi, presidenti ka afat deri më datë 7 nëntor. Nëse nuk shprehet deri atëherë, ai humbet të drejtën e tij dhe kandidati i renditur i pari në listën e miratuar nga KED, më 8 nëntor automatikisht konsiderohet i emëruar anëtar i Kushtetueses”-, theksoi Xhafaj.
Ndërsa pyetjes se kreu i shtetit do t’i kthejë listën e dytë KED-së duke i kërkuar rivendosjen në afat për shkak se duhet të shprehet fillimisht Kuvendi, Xhafaj tha se “e kam ndjekur këtë informacion në medie dhe uroj të mos jetë i vërtetë pasi presidenti do të shkelte hapur nenin 124 të Kushtetutës dhe ligjin përkatës të Gjykatës Kushtetuese (nenin 7b, pika 4) në të cilën shprehet qartë detyrimi i organit për t’u shprehur brenda një afati 30 ditor”.
“Ky detyrim mbizotëron mbi çdo interpretim tjetër. Parashikimi i radhës së ndjekjes në Kushtetutë për secilin organ, fillimisht ka si qëllim përcaktimin e vendit vakant që do të zëvendësohet prej tij, me qëllim ruajtjen në vijimësi të radhës së emërimeve për realizimin e rotacionit të rregullt. Përderisa është përcaktuar qartazi në Kushtetutë, specifikisht vendi vakant që do të zëvendësohet nga ana e secilit organ, e rëndësishme mbetet përmbushja e vullnetit respektivisht prej tyre brenda afatit 30 ditor”-, shtoi Xhafaj.
Lidhur me pyetjen nëse mund të kemi një konflikt të ri President – Kuvend, Xhafaj u shpreh se “uroj që të mos ndodh pasi do të ishte e pakuptimtë. Në vlerësimin tim Kushtetuta është e qartë dhe nuk ka vend për interpretime të ndryshme. Shpresoj që të sillen në mënyrë të përgjegjshme me Kushtetutën dhe ligjin. Ndryshe, nuk kanë qëllim krijimin e shpejtë të Gjykatës Kushtetuese, por pengimin e saj. Gjithsesi, në këtë rast KED ka përgjegjësinë dhe mundësinë të reagojë në kohë për të zbatuar pa hezitim Kushtetutën e ligjin në fuqi”./atsh