Mbrëmja e titulluar “Ngjyrat, shijet dhe harmonia e tokës”, organizuar në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, shënoi edhe çeljen e Javës së Kuzhinës Italiane nëpër Botë, në qytetin bregdetar.
Produktet lokale të certifikuara DOP, gatime e muzikë tradicionale nga rajoni i Puglias, ishin pjesë e kësaj mbrëmjeje, ku mësues, shefa dhe nxënës të Institutit “L’Istituto Alberghiero IIISS De Nora/Lorusso di Altamura”, e shndërruan atë në një spektakël të vërtetë.
Protagonistët e këtij aktiviteti, që sollën në Vlorë traditat më të mira të gatimit nga rajoni i jugut të vendit fqinj, krijuan një atmosferë festive, që u alternua me muzikën e zgjedhur dhe ritmike pulieze.
Pjesëmarrësit në këtë aktivitet, që zhvillohet prej katër vitesh në Vlorë, admiruan dhe shijuan artin tradicional të gatimit dhe tingujt muzikorë, që e kanë bërë Puglian një zonë të njohur në mbarë botën.
Kuzhina e Puglias, spikat për shumëllojshmërinë, ngjyrat, për origjinalitetin, shijen e pakrahasueshme, verërat e mrekullueshme “Primitivo”, me të cilat banorët e këtij rajoni krenohen.
Proshutat, ullinjtë, djathrat, makaronat artizanale dhe të freskëta, mes të cilave makaronat “Oriechiette” të përgatitura “live”, buka Altamura, janë disa nga këto gatime, që janë shndërruar në vlera të padiskutueshme dhe të njohura dhe që e përvijojnë këtë rajon, si një mjedis ku traditat ruhen, promovohen dhe konsolidohen më tej.
Duhet ta shijosh kuzhinën pulieze, për të perceptuar dimensionet e saj. Duhet ta dëgjosh live, muzikën e kësaj zone, për t’u përfshirë në një realitet hyjnor.
“Nuk e ke shijuar Italinë, nëse nuk shijon Puglian dhe kuzhinën e saj”, është një fjalë e urtë e popullit fqinj, çka u provua edhe një herë në çelje të Edicionit të Katërt të Javës së Kuzhinës Italiane nëpër Botë, në qytetin e Vlorës.
Në nisje të këtij aktiviteti, Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Luana Michelli, u ndal në rëndësinë e këtij aktiviteti që synon të përcjellë dhe të bëjë të njohura traditat. “Duke njohur traditat e njëri-tjetrit, ne njohim më shumë vetveten, njohim dhe respektojmë vlerat tonë, të cilat përbëjnë kolonat e miqësisë dhe bashkëpunimit mes nesh”, u shpreh Michelli.
Sipas saj, këto tradita na bëjnë të ndihemi krenarë. Prandaj dhe këto aktivitete, ndërtojnë urat e bashkëpunimit, për të cilat kemi aq shumë nevojë. Shqiptarët dhe italianët sot janë më pranë njëri-tjetrit se kurrë më parë.
Nga ana e tij, drejtori i Institutit “L’Istituto AlberghieroIISS De Nora”, prof. ing. Giusseppe Achille, u ndal tek disa nga të veçantat e kësaj mbrëmjeje, duke theksuar se, në këtë mbrëmje prezantohet tradita pulieze në inovacion.
“Të gjitha produktet e përfshira në këtë prezantim, janë të traditës sonë, të ripara në filozofinë e re të kuzhinës”, theksoi Achille.
Çdo produkt ishte shoqëruar me etiketa dhe kodet respektive, ku prezantoheshin karakteristikat teknike dhe gjithashtu edhe video që përcillnin procesin e gatimit.
Edicioni IV i Kuzhinës Italiane nëpër Botë, në qytetin e Vlorës, do të zhvillohet deri në 26 nëntor. Gjatë këtyre ditëve do të ketë aktivitete të shumta.
Spektakli i mbrëmjes së parë organizohej nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, në bashkëpunim me L’Istituto Alberghiero IIISS De Nora/Lorusso di Altamura” dhe GAL Terre di Murgia.
Ky event pason Javën e Gjuhës Italiane nëpër Botë, gjatë të cilës u zhvilluan veprimtari të shumta në të gjithë bashkitë që shtrihen në rajonin konsullor në jug të vendit, ku u përfshinë të gjitha kategoritë e popullsisë.
Ndër këto veprimtari, veçon premiera e shfaqjes teatrale “La Patente”, nën interpretimin e studentëve të Universitetit “Ismail Qemali”, me regji të Neritan Mehmetaj. Kjo shfaqje u mirëprit nga artdashësit e qytetit të Vlorës, Gjirokastrës etj.. /atsh