Loading...

Thaçi: Kosova e përkushtuar për paqe në rajon

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it u vlerësua kontributi i këtij misioni si një forcë e besueshme për ruajtjen e sigurisë në Kosovë, teksa u tha se falë bashkëpunimit të ndërsjellë u formua Ushtria e Kosovës dhe zhvillimi i saj do të bëjë që në të ardhmen e afërt të jetë pjesë e NATO-s.

Presidenti Hashim Thaçi, duke folur për kontributin e NATO-s në Kosovë, tha se sukseset e përbashkëta po i bëjnë gjithnjë e më pak të nevojshme trupat e KFOR-it në Kosovë, ku u shpreh optimist se vendi ynë do të përfshihet nën ‘ombrellën’ e NATO-s. I pari i shtetit po ashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar për të arritur paqe në rajon.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës, komandanti në largim i KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’Addario foli për kontributin e tij që KFOR-i të njihet si një forcë e besueshme, e paanshme dhe e aftë për të dhënë siguri jo vetëm në Kosovë.

Komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Michele Risi u shpreh falënderues dhe tha se shtetet aleate të NATO-s po i kontribuojnë sigurisë së tërë popullatës së Kosovës për ruajtje të stabilitetit të Kosovës, Ballkanin dhe tërë Europës.

Pas përfundimit të ceremonisë në një konferencë për media, admirali James Foggo i bëri thirrje partive fituese të zgjedhjeve që të formojnë qeverinë e re që të shtyjnë Kosovën drejt stabilitetit dhe prosperitetit, teksa tha se nuk planifikojnë për reduktim të trupave të KFOR-it në Kosovë.

Ish-komandanti i KFOR-it Lorenzo D’Addario ka shërbyer edhe më herët në Kosovë në vitet 1999 dhe 2003-2004, derisa detyrën e komandantit e kishte marrë në vitin 2018./KosovaPress/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com