Të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e vendit (përfshirë edhe ato jopublike) edhe ditën e nesërme (datë 27 nëntor 2019) do të jenë pushim.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini.
“Jam e tronditur nga humbja e jetëve dhe lëndimet trupore që kanë pësuar qytetarët si pasojë e tërmetit, siç besoj është edhe e gjithë Shqipëria. Ndaj kemi vendosur që të pezullojmë mësimin në të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e vendit (përfshirë jopubliket) edhe ditën e nesërme (datë 27 nëntor 2019) në mënyrë që familjet të qëndrojnë së bashku dhe ta përballojnë situatën duke u solidarizuar me ata që u prekën më së shumti nga kjo tragjedi”, – theksoi Shahini.
Ministrja Shahini u shpreh se “me ekipet tona po vijojnë ndërkohë me evidentimin e dëmeve materiale dhe hartimin e planit të masave për shkollat e dëmtuara”.
Ajo shprehu ngushëllimet ndaj të gjitha familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, si dhe t’i uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë të lënduarve. /atsh