Stadiumi i ri Kombëtar është drejt përfundimit, ndërsa pritet të inagurohet në ndeshjen me Francën më datë 17 nëntor. Punonjësit janë duke u dhënë formë detajeve të fundit, përpara inaugurimit.
Ashtu siç shihet nga pamjet që sjell fotoreporteri i ATSH-së, Florian Abazi, punimet janë drejt fundit dhe gjithçka do jetë në perfeksion për ndeshjen e fundit eliminatore për Euro 2020.
1 nga 19
Stadiumi i ri i Kombëtares shqiptare të futbollit ka një kapacitet 22.000 vende me të gjitha tribunat e mbuluara.
Impianti i ri modern është investimi më i madh i kryer në futbollin shqiptar dhe tashmë futbolli shqiptar ka një shtëpi të re me të cilën do të përfaqësohet denjësisht në kompeticionet e rëndësishme sportive.
Stadiumi i ri është projektuar si një teatër romak ose grek, me tri pjesë për publikun dhe një skenë që është tribuna VIP.
Elementi historik është ai që mbizotëron. Gjithë stadiumi ka elementin e kolonave që simbolizon stilin e viteve ’30, element ky i lidhur ngushtë me periudhën historike. Janë mbi 3 mijë kolona që rrethojnë Arenën Kombëtare mbi të cilat janë gdhendur motive të veshjeve shqiptare.
Stadiumi i ri i projektuar për 22 mijë vende është dorë e një prej arkitektëve më në zë të kohës, njëkohësisht profesor në Fakultetin e Arkitekturës të Xhenoas, Marco Casamonti.
Së bashku me ekipin e tij ai ka bërë një punë të rëndësishme për katalogimin e pjesëve historike, pastrimin dhe rivendosjen e tyre, pjesë të cilat përbëjnë fasadën kryesore, vepër e famshme e Gerardio Bosio.
Zanafilla e stadiumit kombëtar ka nisur në gusht të vitit 1939, projektuar me 15 mijë vende dhe ka përfunduar në vitin 1946 me emërtimin “Qemal Stafa”, emër të cilin e mbajti deri qershor të vitit 2016.
Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar, se ndeshja testuese e Stadiumi të Ri Kombëtar, e cila është e detyruar sipas rregullave të UEFA-s, do të jetë “Vllaznia”-“Apolonia”, e vlefshme për kampionatin e futbollit të femrave.
Kjo ndeshje do të zhvillohet më datë 3 nëntor, në mbrëmje. Kjo do të jetë dhe ndeshja e parë ku tifozët do të kenë mundësinë të shikojnë nga afër një ndeshje në investimin më të madh të realizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit./atsh