“Në 30 qershor ne nuk u dhamë një goditje të fortë të gjitha forcave që donin të shkatërronin shtetin duke shkatërruar zgjedhjet, por i dhamë dhe një goditje përfundimtare papërgjegjshmërisë totale në qeverisjen vendore të atyre që mendonin se mund t’i përdornin njerëzit si mish për top dhe shembulli më i qartë është Kamza”, tha sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali, ndërsa mori pjesë në ceremoninë e 100 ditëve të para të punës të bashkisë Kamëz.
Spiropali tha se ne do ta transformojmë Kamzën në një qytet modern për të gjithë.
“Ajo që pamë këtu në ekran është vetëm fillimi, janë 100 ditë. Është domethënëse se nga buxheti i bashkisë Kamzë janë shpenzuar vetëm 50 mijë euro dhe janë bërë punë sa për pesë vite. Ne kemi një ëndërr dhe një vizion për Kamzën, që asnjë i ri apo e re të mos ndihet si qytetar i dorës së dytë. Dhe kjo do planifikim, do punë, duke nisur me kanalet e ujërave të zeza, rrugë, infrastrukturë, shkolla, kopshte, çerdhe, qendra e qytetit, pallatet, fasadat të gjitha janë pjesë e një vizioni të qytetit të fundit të rilindjes urbane, por jo më pak të rëndësishme Rilindja Urbane do vijë në Kamëz më forcën e kësaj mazhorance dhe kryetarin e bashkisë, Rakip Sulin. Ne do ta transformojmë Kamzën dhe unë jam e sigurt që në katër vite, Kamza do të jetë një qytet krejtësisht tjetër, një hapësirë urbane, një hapësirë për pleqtë, për të rinjtë, për të rejat, për fëmijët, për qytetarët, dhe unë besoj se diferenca e madhe që e ndan Kamzën nga Tirana për shkak të keqqeverisjes do sheshohet dhe çdo qytetar i Kamzës do të ndihet si pjesë e një hapësire më të madhe, hapësirës së përbashkët të Tiranës dhe Kamzës. Ky është vizioni ynë”, – tha ajo.
Më tej, Spiropali tha se është e rëndësishme të kuptojmë nga vijnë të gjitha ato problematika me të ardhurat në buxhet se nuk janë të rastësishme, por janë për shkak të keqmenaxhimit ekstrem ndonjëherë kriminal, banal të pushtetit.
“Ideja që njerëzit i ke ushtarë, se i ke nga një krahinë, apo i ke të një partie, apo mund t’i përdorësh për të ardhur në Tiranë. S’ke nevojë të japësh llogari, s’ke nevojë të kthesh përgjigje, silli aty të protestojnë, e ke bastionin tëndin e me radhë. Kjo mendësi ka lënë vendin pas, si Kamza apo qytete të tjera. Ne këtë mendësi e kemi thyer në 30 qershor dhe do të vazhdojmë të tregojmë se kemi bërë gjënë më të mirë, duke i dhënë mundësi të gjithë qytetarëve të ndihen të barabartë, të përfaqësuar dhe punët e tyre, buxheti i tyre të menaxhohen në mënyrën më të mirë”, tha ajo.
Po ashtu Spiropali tha se ne nuk bëjmë politikë vetëm për të majtët, por për të gjithë shqiptarët.
“Ne nuk bëjmë politikë vetëm për socialistët, apo për të majtët, ne bëjmë politika për shqiptarët dhe kjo na dallon, se ne nuk i ndajmë njerëzit në të kuq dhe blu, por ne shohim të ardhmen e fëmijëve tanë të përbashkët. Kjo na dallon nga kundërshtarët tanë ata ende nuk e kanë kuptuar se asaj politike i ka ardhur fundi”, – tha ajo.
Po ashtu Spiropali e konsideroi takimin Berisha-Meta si pjesë të politikës së vjetër.
“E patë sot besoj? U mblodhën aty në Presidencë, lideri historik i Partisë Demokratike dhe Presidenti pretendent për kryetar opozite dhe vazhduan me historinë e vjetër të sharjes, të përbaltjes, duan të mbajnë peng një sistem të tërë. 30 vjet kanë mbajtur në këmbë një sistem drejtësie dhe një mendësi në politike, e cila do të shkatërrojë kundërshtarin të përçajë njerëzit, t’u thotë se ju jeni tanët, ata janë të atyre, hajde përballemi në mënyrë që të vazhdojnë ata të bëjnë punët e tyre të pandëshkuar në kontroll absolut jo vetëm pushtetin, por dhe drejtësinë”, – tha ajo.
Spiropali theksoi se “kjo kohë ka marrë fund, është në qeverisjen qendrore edhe në shtet, edhe këtu në pushtetin lokal siç po e shihni në bashkinë Kamëz. Bashkia nuk është pronare e jetës së njerëzve, pro shërbëtore e tyre dhe besoj se këtë vizion e mishëron Rakip Suli, ekipi i tij në bashkisë dhe jam e sigurt së bashku me energjinë e njerëzve që nuk i ndan ngjyra politike, por i bashkon dëshira për të jetuar në një vend më të mirë dhe për të bërë punë për të gjithë fëmijët e këtij vendi. Jam e sigurt që kur të vijmë pas një viti do shohim më shumë punë dhe kur të vijmë pas katër vitesh, do krenohemi me qytetin e Kamzës dhe në gjitha rrethinat e saj. Mbështetja që qeveria do t’i japë Kamzës sigurisht do jetë një mbështetje të posaçme edhe për shkak të kësaj diference keqmenaxhimi të burimeve. Qendra e Kamzës e meriton një projekt të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimi dhe ne do bëjmë të pamundur ta ketë, ashtu siç e meriton, dhe projekte të tjera i mirëpresim nga bashkia”, – tha ajo./atsh