Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka vizituar mbrëmjen e së martës, kampin e improvizuar në Thumanë, ku do të qëndrojnë banorët e pastrehë të Thumanës.
“Dy herë i kam bërë thirrje qeverisë të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, por sot nuk është dita për të drejtuar gishtin. Edhe njëherë dua t’i bëj thirrje çdo shqiptari të ndihmojnë sa të munden. Falenderoj të rinjtë që kanë sjellë ushqime dhe batanije për personat e prekur, si dhe Aleancën për Teatrin, që ka sjellë ndihmat nga Tirana”- theksoi Basha.
Duke falenderuar ekipin që kryen këtë operacion humanitar dhe gazetarët që po informojnë drejt publikun për fatkeqësinë natyrore, Basha i inkurajoi të gjithë ata që punojnë për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat.
“Kemi shpresë që një djalë 25 vjeçar të dalë gjallë. Dua të falenderoj edhe mediat për mbulimin që keni bërë, të gjithë si një familje e madhe së bashku do ta kapërcejmë, lutjet e mia janë për ata që janë nën rrënoja”, – tha Basha.
Gjithashtu Basha takoi përfaqësues të njësive speciale të shpëtimit, të ardhur nga Kosova dhe Greqia për të na ndihmuar me operacionet e kërkim shpëtimit në rrënoja.
“Ju falënderoj shumë për ndihmën. Ju jemi mirënjohës për angazhimin me zemër për të shpëtuar jetën e njerëzve në nevojë me pajisjet e duhura dhe përkushtim të madh”, u shpreh Basha./atsh