Italia dhe gjashtë vende të Bashkimit Europian i kërkojnë Komisionit Europian nëpërmjet një letre të shtjellojë konkretisht propozimet për përmirësimin e efektivitetit të procesit të zgjerimit të Ballkanit Perëndimor brenda janarit të 2020.
Letra i drejtohet presidentit të ekzekutivit të Bashkimit Europian, Jean-Claude Juncker dhe është nënshkruar nga ministrat e Jashtëm të Italisë, Austrisë, Kroacisë, Polonisë, Republikës Çeke, Sllovenisë dhe Sllovakisë.
“Është e vërtetë që procesi i pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor vazhdon ngadalë dhe në mënyrë të parregullt, por, duhet të vazhdojë pa vonesa të panevojshme”, shkruajnë krerët e diplomacive të shtatë vendeve.
Krerët theksojnë se ”janë të gatshëm për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive për një reformë të zgjerimit të BE-së, me objektiv fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në muajin mars 2020″./ atsh