Shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Palermo (Itali) po përgatiten për festën e Pavarësisë së Shqipërisë. Në ceremoninë e 107-vjetorit të Pavarësisë me titull “Pakt mes popujve të djeshëm dhe të sotëm” janë programuar disa kumtesa mbi historinë e përbashkët të popujve tanë si dhe për figura të rëndësishëm të kombit.
“Këto festime janë një traditë e hershme në Sicili”, – tha për ATSH-në Vincenzo Lombardo Shyti, i cili shton se përvjetorit të Ditës së Flamurit i janë bashkuar edhe arbëreshë nga i gjithë rajoni.
Shyti u shpreh se “bashkatdhetarët që janë vendosur në periudha të ndryshme në ishullin jugor të Italisë i bashkon edhe synimi për ta parë Shqipërinë sa më shpejt në Bashkimin Europian”.
Sipas tij, tashmë po punohet për të ruajtur dhe mësuar në shkolla gjuhën shqipe, siç e parashikon Kushtetuta e Italisë, pa harruar edhe kujdesin për marrëveshjen mes dy shteteve tona për pensionet e punës së kryer në Shqipëri dhe Itali.
Ne presim mysafirë të shumtë si dhe personalitete nga Shqipëria, Kosova dhe Italia – nënvizoi Lombardo Shyti, duke shtuar se festa do të organizohet në Pallatin Sant Elia të Palermos më 4 dhjetor.
“Kjo do të mundësojë ardhjen e të ftuarve, që më 28 nëntor do të festojnë edhe në vendet e tyre”, – përfundoi Vincenzo Lombardo Shyti./atsh