Shqipëria është një vend i bukur që gjithmonë e më shumë po bëhet i njohur nga turistët. Plazhe të bukura, male të larta dhe qytete intriguese e bëjnë atë një vend të mrekullueshëm për t’u vizituar, sipas blogut të personalizuar thetravellingtom.com.
”Shqipëria njihet më pak në mbarë botën dhe kjo mungesë njohjeje e bën atë një vend emocionues për ta vizituar. Duke pasur këto gjëra në mendje, me siguri po pyesni veten se kur është periudha më e mirë për të vizituar Shqipërinë. Si pasojë e mungesës së informacioneve mbi Shqipërinë, kjo gjë është e vështirë të dihet. Megjithatë, klima është e ngjashme me atë të shumë vendeve europiane dhe mungesa e turizmit në masë, e bëjnë atë një vend të qetë.
Ky artikull do t’ju sigurojë detaje mbi faktorë të ndryshëm që përcaktojnë periudhën më të mirë për të vizituar Shqipërinë. Përgjigjet janë subjektive, por mund të shërbejnë si udhëzim dhe jo si deklaratë se kur duhet ose nuk duhet ta vizitoni.
Klima në Shqipëri
Klima në Shqipëri është e ndryshueshme, gjë që shkaktohet nga ndryshimet në gjerësi, gjatësi dhe lartësi gjeografike. Shpesh moti mund të jetë i ndryshëm në brendësi të territorit dhe në bregdet.
Vendi ka klimë kryesisht mesdhetare dhe kontinentale, me katër stinë të dallueshme. Megjithatë, ekziston njëfarë dallimi midis zonave bregdetare dhe atyre të brendshme.
Zonat bregdetare kanë klimë mesdhetare, ndërsa zonat në brendësi të territorit dhe ato malore kanë klimë kontinentale me temperatura më të ftohta. Kjo e bën Shqipërinë të ketë verë të ngrohtë e të thatë dhe dimër të butë e të lagësht, që ngjason me vendet e tjera me klimë mesdhetare.
Pranvera
Nëse dëshironi mot të mirë, por jo shumë të nxehtë, muajt nga marsi në maj janë më të përshtatshmit për të vizituar Shqipërinë. Gjatë kësaj pjese të vitit, i ftohti i dimrit është larguar, ndërsa nxehtësia e verës ende nuk ka mbërritur.
Moti në zonat bregdetare është i këndshëm, duke e bërë kështu një periudhë ideale për të vizituar rivierën e mrekullueshme shqiptare, ndërkohë që moti në zonat e brendshme të territorit është i kënaqshëm por jo aq i ngrohtë.
Një vend i mirë për t’u vizituar gjatë kësaj periudhe është qyteti bregdetar i Sarandës. Moti dhe vendndodhja fantastike e bëjnë këtë qytet ideal për një pushim në bregdet.
Duke qenë se në këtë periudhë të vitit nuk ka shumë turistë, do të gjeni plazhe me shumë pak njerëz. Këto muaj mund të jenë më të përshtatshmit për të vizituar Shqipërinë. Do të gjeni mot të këndshëm, pak turistë dhe çmime të lira.
Vera
Vera është periudha më e mirë e vitit për të vizituar Shqipërinë nëse dëshironi mot të nxehtë. Pjesa më e madhe e vendit ngrohet nga rrezet e diellit nga muaji qershor në gusht. Është periudhë e shkëlqyer të vizitoni rivierën shqiptare dhe qytete bregdetare si Saranda.
Megjithatë, mund të bëjë shumë nxehtë. Unë vizitova Shqipërinë gjatë muajit korrik dhe temperaturat ishin shumë të larta. Disa ditë ishte aq nxehtë sa duhej të qëndroja brenda nga ora 11:00 deri në 17:00 sepse ishte shumë shqetësuese të ecje në atë nxehtësi.
Vera është stina kryesore e turizmit në Shqipëri. Rreth 90% e turistëve e vizitojnë atë në muajt e verës. Do të vini re se vendet në këtë periudhë të vitit janë më të populluara sesa muajt e tjerë.
Kjo gjë sjell rritjen e çmimeve të hoteleve, restoranteve, kafeneve, shumica e të cilave hapen vetëm gjatë sezonit të verës. Shpesh në zonat bregdetare ndodh kështu.
Megjithatë ka dhe lajm të mirë. Sezoni i turizmit në Shqipëri nuk është aq i populluar sa pjesa tjetër e Europës. Do të mundeni të lëvizni me lehtësi dhe nuk do përballeni më turma njerëzish në vende si, Barcelona.
Vjeshta
Vjeshta është një nga periudhat më të bukura për të vizituar Shqipërinë. Temperaturat janë më të freskëta sesa gjatë verës, por ende të ngrohta për të shijuar peizazhin e bukur që ofron vendi. Me kalimin e muajve, temperaturat fillojnë të ftohen, por rënia e tyre ndjehet më së shumti në muajin nëntor. Temperaturat e freskëta krijojnë një kohë të mrekullueshme për të dalë jashtë dhe vizituar disa nga vendet më të bukura të Shqipërisë.
Në këtë periudhë të vitit, qyteti i Krujës është shumë i këndshëm, ndërsa një vizitë në Berat, qytetin e 1000 dritareve, do të ishte një ide shumë e mirë. Vjeshta është një periudhë shumë e mirë për të eksploruar vendin. Do të gjeni pak njerëz dhe çmimet janë më të lira sesa gjatë muajve të verës.
Dimri
Dimri nuk është domosdoshmërisht periudha më e mirë për të vizituar Shqipërinë. Moti është më i ftohtë sesa muajt e tjerë, me temperatura që bien menjëherë. Në rivierën shqiptare është tepër ftohtë për të shëtitur.
Në brendësi të territorit është akoma më ftohtë, me temperatura që në disa vende shkojnë nën 0°C. Megjithatë, nëse ju pëlqen shëtitja në dimër, është periudhë shumë e mirë për të vizituar malet, në veçanti malin e Korabit, më i larti në vend.
Pavarësisht motit të ftohtë, Tirana është një nga destinacionet dimërorë më të mira të Europës. Në qytet do të gjeni pak ose aspak turistë dhe mund ta shijoni qëndrimin aty, pavarësisht motit të ftohtë. Një e mirë e vizitës në Shqipëri gjatë dimrit është se atje nuk është aq ftohtë sa në vendet e tjera të Europës.
Festivalet në Shqipëri
Në Shqipëri zhvillohen shumë festivale gjatë vitit. Nga Festivali i Këngës Popullore e deri te Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë, do të gjeni evente të shumta, rreth të cilave mund të planifikoni vizitën tuaj.
Festivali i Këngës Popullore
Ky festival zhvillohet çdo mars dhe siç mund ta kuptoni nga titulli, ka të bëjë me këngët popullore. Nëse dëshironi të përfshiheni në kulturën e Shqipërisë, atëherë ky festival është mundësi shumë e mirë për ta bërë këtë gjë. Stili është i ndryshëm nga festivalet tradicionale që mund të prisni, pasi është ndryshuar gjatë qindra viteve. Në ditën e parë të pranverës, ky festival zhvillohet në qytetin e Elbasanit, që mirëpret performues nga i gjithë vendi.
Festivali Kala
Festivali Kala është një nga eventet më të reja në Shqipëri. Zhvillohet çdo qershor në Dhërmi. Vendndodhja në rivierën shqiptare do të thotë se është festival i njohur, pranë plazheve të mrekullueshme. I organizuar për herë të parë në vitin 2018, ky është i festivali i parë ndërkombëtar në Shqipëri. Festivali zgjat rreth një javë dhe mirëpret DJ-të më të mirë për të performuar.
Festa e birrës ”Korça”
Nëse pëlqeni birrën, Festivali i Birrës në Korçë është vendi i duhur për ju. Çdo vit festivali shërben mbi 14 000 birra gjatë 4 netëve festimesh. Birra Korça është më e njohura në Shqipëri dhe prodhohet po në këtë qytet, nga i cili merr dhe emrin. Ky festival mendohet të jetë më i madhi në Shqipëri. Aty do të gjeni ushqim tradicional, muzikë, kërcim dhe sasi të bollshme alkooli.
South Outdoor Festival
Organizohet gjatë fundit të muajit prill dhe fillimit të majit dhe zhvillohet çdo vit në vende të ndryshme të jugut të Shqipërisë. Festivali zgjat tre deri në katër ditë dhe ju jep mundësinë të përfshiheni në aktivitete të ndryshme si, fluturime me parashutë, tur me biçikleta dhe shëtitje. Festimet vazhdojnë edhe gjatë natës ku performojnë banda muzikore vendase dhe gjenden stenda që shesin ushqim tradicional.
TIFF
Festivali ndërkombëtar i Filmit në Tiranë (TIFF) ishte i pari i llojit të tij kur u organizua për herë të parë në vitin 2003. Nëse ju pëlqejnë filmat, ky është një event rreth të cilit mund të planifikoni vizitën tuaj. Festivali shfaq lloje të ndryshme filmi, duke varjuar nga filmat me metrazh të shkurtër deri te ata me metrazh të plotë. Mbahet çdo nëntor”, përfundon blogu i personalizuar thetravellingtom.com./atsh