Në mbështetje të Kushtetutës, të ligjit “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi sot që:
Në tabelën me emërtimin “Lista e pasurive të paluajtshme, pronë private, që do të shpronësohen për interes publik, të cilat preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Skelë – Ujë i Ftohtë, Bashkia Vlorë (Zona I, Skelë – Shkolla e Marinës)”, që i bashkëlidhet vendimit nr. 661, datë 8.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të dhënat për numrin rendor 56 ndryshohen.
Vlera shtesë, prej 5 403 681 (pesë milionë e katërqind e tre mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e një) lekësh, e kësaj pasurie, i shtohet vlerës së përgjithshme të vendimit nr.661 dhe do të përballohet nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin “Planifikimi urban”.
Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”. /atsh