Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të Paketës Speciale AntiKÇK, iu është përgjigjur edhe pyetjeve të qytetarëve të cilët e kanë ndjekur prezantimin e kësaj platforme përmes rrjeteve sociale. Duke folur mbi shqetësimin e një qytetari i cili ankohet për gjendjen e Shëndetësisë Rama tha se pavarësisht perceptimit përgjithësisht të atyre njerëzve që sipas tij nuk e kanë prekur vetë këtë shërbim, shëndetësia sot nuk krahasohet me atë të vitit 2013.
“Kjo është një tjetër qasje që shpreh një frustrim që nuk është në një kategori të ngushtë, por në një kategori të gjerë njerëzish dhe që lidhet jo me atë që ishte, por me pritshmëritë. Ushqehet çdo ditë me toksina dhe helmohet çdo ditë me lajmin e keq, me gënjeshtrën me shpifjen me manipulimin. Mbetemi në një pozicion të vështirë në raport me të vërtetën dhe faktet, sepse sot në Shqipëri bëhen 60 mijë operacione kirurgjikale, në total, duke përfshirë dhe mikrokirurgjinë shkojnë në 95 mijë ndërhyrje në vit. Por, një dështim këtu, një skandal atje krijojnë një atmosferë ku është vërtet e vështirë që njeriu i zakonshëm që e ndjek jetën nga kanali i televizionit, apo kanalet e tjera të komunikimit të racionalizojë këtë raport. Ama, opinioni lidhur me mjekësinë sot mbetet një opinion i krijuar nga shumica e atyre që nuk marrin shërbim. Ndërkohë që, opinioni i atyre që marrin shërbim është shumë herë më pozitiv, pasi e kanë prekur vetë këtë eksperiencë,” tha Kryeministri Rama.
Ai tha se korrupsioni në shëndetësi është reduktuar. “Është e pavërtetë që kur shkon te mjeku duhet të japësh lekë. Nëse në trupën e bluzave të bardha ka të tillë që e njollosin atë me sjellje korruptive, e vërteta tjetër është se këta janë pakicë. E them këtë me bindje pasi e ndjek këtë çdo ditë dhe falë përkushtimit të ministres si dhe falë njohjes së të gjithë problematikës që ajo ka është e qartë, natyrisht që përsëri jemi në udhëkryq. Por raporti me të shkuarën, kur njerëzit vareshin nëpër kangjella dhe ulërinin me receta në dorë se nuk kishte ilaçe ka ndryshuar. Duke parë përmirësimin njerëzit kuptojnë që u bëka dhe kjo, atëherë pse nuk bëhet edhe ajo,” deklaroi Kryeministri i vendit. /atsh