Loading...

Shalsi: Turizmi, një ndër shtyllat e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi prezantoi para drejtuesve dhe përfaqësuesve të Aleancës së Agjencive Ballkanike të Lajmeve, (ABNA-SEE) që u mblodhën sot në Tiranë, reformat që po ndërmerr Shqipëria, ndërsa Reformën në Drejtësi e cilësoi si më të rëndësishmen.

“Shqipëria në këto vitet e fundit i është nënshtruar disa reformave shumë të thella e të vështira, por ne besojmë të drejta. Vendi ynë ka ndërmarrë reformën në arsim, pensione, apo sektorin energjetik. Shumë prej jush jeni në dijeni se sa vende janë duke u përpjekur për reformën territoriale dhe ne arritëm të bëjmë një reformë të thellë territoriale. Nga rreth 400 komuna e bashki, sot kemi 61 bashki. Në vitet e fundit vendi është përfshirë në një vorbull reformash si asnjëherë më parë. Ndërkohë ka një reformë që është mbi të gjitha reformat, ajo e drejtësisë. Ne vendosëm disa vite më parë që me mbështetjen e partnerëve të huaj të shkatërronim sistemin e vjetër të drejtësisë, për të ndërtuar një sistem të ri drejtësie. Nuk vendosëm të arnojmë sistemin e vjetër, por vendosëm të ngrinim një sistem të ri”, – tha ministri Shalsi në konferencën me temë “Media&Turizmi, Ide&Zgjidhje”, të organizuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministri theksoi se turizmi është konsideruar si një ndër shtyllat e zhvillimit ekonomik të vendit, dhe ku është fokusuar edhe puna e qeverisë.

“Nisur nga potenciali i jashtëzakonshëm që ne mendojmë se Shqipëria ka, e lidhëm zhvillimin e turizmit me disa kolona të tjera. Nuk mund të ketë turizëm të zhvilluar pa një infrastrukturë të zhvilluar. Një nga arsyet që kemi investuar fort në rrjetin rrugor është pikërisht për të krijuar akses në atraksionet turistike shqiptare”, – shpjegoi ministri Shalsi.

Më tej, ai vuri në dukje se Shqipëria dhe pse një vend i vogël prej 28 mijë km2, ka bregdet të jashtëzakonshëm ranor dhe shkëmbor, Adriatikun dhe Jonin, ka liqene të mrekullueshme si Ohri, pjesa shqiptare e të cilit u fut në UNESCO, apo Shkodra, ka alpe fantastike, lumenj që mund të zhvillosh aktivitete, ka një diversitet fetar që na bën krenarë.

“Pra në këtë larmi dhe ofertë fantastike, pa një infrastrukturë moderne nuk do të mund të zhvillohet turizëm”, – shtoi ministri.

Ministri ndau me të pranishmit edhe lajmin shpalljen e Tiranës si kryeqyteti i Rinisë për 2022.

“Ju shihni Tiranën sot dhe unë dua të ndaj një lajm fantastik me ju, atë të shpalljes ‘Kryeqyteti u Rinisë’ për 2022, pas një konkurrence të fortë. Kur kthejmë kokën pas, për të krahasuar si ishte Tirana 15-20 vite më parë e si është sot, jemi krenarë. Jam krenar, sepse kam qenë pjesë e ekipit të kryeministrit aktual, që asokohe ishte kryetar i bashkisë, për të transformuar këtë kryeqytet që 20 vite më parë ishte i mbushur me kioska. Ishte e paimagjinueshme që brenda një kohe të shkurtër të merrte pjesë në konkurse ndërkombëtare. Pra një vizion i qartë i domosdoshëm për zhvillimin e turizmit. E pra Tirana sot është një qytet atraktiv, jo rastësisht është në qendër të vëmendjes së medieve botërore, pikërisht për shkak të ndërhyrjeve dhe transformimeve të jashtëzakonshme”, – deklaroi Shalsi.

Ai vuri në dukje se shpesh Shqipëria është paragjykuar, ndërsa ftoi të huajt të vizitojnë vendin tonë për ta parë nga afër atë.

“Delegacione të ndryshme që vizitojnë Shqipërinë shpesh mbeten nga një sallë mbledhjesh në zyra pritjesh e takime me titullar. E gjithë axhenda e tyre mbetet e mbyllur në disa mjedise, ndërkohë që nuk do të mund ta kuptosh një vend nëse nuk del dhe nuk e viziton”, – tha Shalsi.

Duke u ndalur te vizita në Vlorë e përfaqësuesve të Aleancës së Agjencive Ballkanike, Shalsi tha se nëse do ta kishit vizituar 5-6 vite më parë do të kuptonit se çfarë transformimi rrënjësor ka kaluar ai qytet, por dhe sa shumë transformime të tjera e presin.

“Sot po flasim për një aeroport që ka lind si nevojë për shkak të interesit dhe numrit të lartë të turistëve”, tha ai.

Ministri Shalsi foli edhe për stadiumin e ri, i cili u inaugurua pak ditë më parë. Në këtë ndërtim, i cili na bën krenar, tha Shalsi, një emër prestigjoz si “Marriott” në fushën e hotelerisë ka nënshkruar marrëveshje për të shfrytëzuar si hotel njërën nga kullat.

Ministri u ndal në disa nga lehtësitë fiskale që po zbatohen nga qeveria për të tërhequr investime. “Kemi hartuar ligjin për investimet strategjike. Po punojmë fort për ndërtimin e institucionit që do t’i përgjigjet në kohë reale të shpejt kërkesave të biznesit”, informoi ai.

Ministri Shalsi vlerësoi rolin e medias në këto kohë, të cilat ai i quajti të turbullta, të lajmeve të rreme. “Ne mund të influencojmë të paraqesim lajme që tregojnë realitetin, për të cilin ne nuk kemi frikë por po punojmë çdo ditë për ta përmirësuar”, theksoi ministri.

Ndërsa i pyetur nga zv/drejtori i Anadolli Agency, Metin Mutanoglu mbi atë se çfarë ka bërë Shqipëria për të tërhequr investimet e huaja, ministri Shalsi tha se ne kemi krijuar Agjencinë për Zhvillimin e Investimeve (AIDA), një dritare për të lehtësuar punën e investitorëve të huaj.

“Tek AIDA investitori gjen informacion për prioritetet që ka vendi. Investitori dorëzon kërkesën dhe është AIDA, e cila hyn në kontakt me agjencitë e tjera vendase. Burokracia është një ndër pengesat kryesore. Për t’i dhënë përgjigje kësaj ne ndërtuam një rrjet koordinatorësh në çdo ministri e agjenci. Në çdo institucion kemi persona të dedikuar që merren vetëm me biznesin”, – tha ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Shalsi.

Konferenca e titulluar “Media&Tourism, Ideas&Solutions” organizohet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe synon të krijojë kanale të reja të bashkëpunimit, për promovimin e turizmit në rajonin e Ballkanit.

Aleanca e Agjencive Ballkanike të lajmeve, ku ATSH është anëtare me të drejta të plota, është themeluar në vitin 1995./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com