Ende pa u mbyllur viti turistik 2019, bashkia e Sarandës dhe kryetari i saj, Adrian Gurma, inicuan një bashkëbisedim me operatorë turistikë të Njësisë Administrative Ksamil dhe subjekte të shërbimeve mbështetëse, me sloganin “Suksesi i sezonit turistik 2020, nis sot!”.
Kreu i Bashkisë Adrian Gurma tha se është i prirur t’u japë ritëm të ri punëve dhe kjo është duke ndodhur, pasi ndërkohë që Ksamili vazhdon të trajtojë turistë, sidomos të huaj, shikimi dhe mendimi shkon tek vera që presim. Ai ka nënvizuar se Bashkia gjatë 2020 do të ofrojë partneritet të vërtetë me biznesin, duke iu gjendur pranë jo vetëm me komunikim, por edhe me zgjidhje optimale, që do të jepen pa zvarritje burokratike.
Nga ana tjetër, Kryebashkiaku Gurma tha se do të ketë një rigorozitet maksimal në zbatimin e marrëveshjeve që lidhen dhe sanksione deri në anullim të tyre, në rast se ato shkelen. “Bashkia, në të gjitha stafet dhe drejtoritë përkatëse, deri në ato të varësise, – siguroi bizneset zoti Gurma – do të jenë të hapur dhe të disponueshëm për të ofruar dhe bërë me të mirën, pasi ky është interesi i përbashkët”.
Nga të pranishmit kapja e momentit, kjo mënyrë e re komunikimi dhe ofrimi, u vlerësua si një hap që hidhet për herë të parë nga ana e Bashkisë dhe se kështu fitohet mjaft kohë për të nisur sa më herët punët për përgatitjen e sezonit të ri turistik 2020.
Biznesmenë dhe operatorë turistikë që e morën fjalën, sollën praktikat më të mira të punës manaxheriale gjatë një viti që u vecua si më i miri, ndërkohë që nuk u lanë pa thënë mungesat apo pikat e dobëta që u vunë re.
Lidhur ngushtë me këto problematika, biznesmenët dhe operatorët ksamiliotë bënë sugjerime konkrete për investimet që me përparësi duhet të zënë vend në projektbuxhetin e Bashkisë për 2020, që është duke u hartuar. /atsh