Loading...

Rindërtohet Qendra Stërvitore e Forcës Tokësore, Xhaçka: Hap i rëndësishëm drejt rritjes së profesionalizmit të gjithë FA

Oficerët dhe nënoficerët e Forcës Tokësore do të përgatiten tashmë në kushte më komode dhe më të përshtatshme në mjediset e sapo rindërtuara të Qendrës Stërvitore të kësaj force.

Përveç përmirësimit në infrastrukturë, Qendra Stërvitore ka pësuar ndryshime edhe në strukturë e kurrikula, duke adoptuar konceptet e reja të NATO-s.

Në përfundimin e punimeve për rindërtimin e Qendrës, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e cilësoi si të rëndësishme në rritjen e nivelit dhe cilësisë së efektivëve të Forcës Tokësore.

“Jam me të vërtete e impresionuar me atë që pashë gjatë këtij inspektimit, me punën që është bërë për t’i dhënë kësaj qendre këto ambiente dinjitoze, siç i takon një ushtrie moderne. Jam më optimiste më shumë se kurrë se kemi hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt rritjes së profesionalizmit dhe modernizimit të gjithë Forcës tonë të Armatosur tokësore. Korpusi i oficerëve profesionistë janë shtylla kurrizore e çdo force moderne. Janë ata që jo vetëm drejtojnë, por mbi të gjitha përçojnë tek çdo efektiv dijet e përfituara nga arsimimi e formimi në qendra si kjo që po inaugurojmë sot”, deklaroi Ministrja e Mbrojtjes.

Ministrja Xhaçka vlerësoi pjesëmarrjen e trupave tanë në misionet ndërkombëtare dhe njoftoi miratimin e një fondi shtesë nga qeveria për të mbështetur angazhimet e FA në misionet e NATO-s.

“Ushtria jonë është sot një forcë më e aftë se kurrë për misione serioze, krah për krah ushtrive më moderne në botë, i cili është një fakt që e kemi dëshmuar në të gjitha misionet dhe operacionet ku kemi qenë nga Kosova e Bosnja, tek deti Egje, tek Afganistani i largët, Letonia, Mali etj. Ndërkohë që vetëm ditën e hënë, akti normativ për buxhetin e vitin 2019 miratoi një fond shtesë prej 300 milionë lekësh të dedikuar krejtësisht për mbështetjen e misioneve të FA në botë.”

Qendra Stërvitore e FT është pajisur me klasa dhe kabinete të cilat do t’i shërbejnë përgatitjes së personelit oficer dhe nënoficer të vijojnë thellimin e njohurive të marra nga Akademia e Forcave të Armatosura dhe ajo e Nënoficerëve, mes të cilave edhe kabineti për përgatitjen e efektivëve pjesë në misionet e Kombeve të Bashkuara.

Përfundimi i punimeve për rindërtimin e Qendrës Stërvitore përkoi edhe me përfundimin e dy prej kurseve që zhvillon kjo qendër, Kursi i Avancuar i Nënoficerit dhe Kursi Bazë i nënoficerit, specialiteti këmbësori. Certifikatat për kursantët më të dalluar, u dorëzuan nga ministrja Xhaçka dhe gjeneralët Kollçaku e Mullai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com