Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edi Reja ka theksuar se në të ardhmen kombëtarja kuqezi do të arrijë rezultate më të mira.
Trajneri i përfaqësuese kuqezi, gjatë deklaratës së pragsfidës me Francën, e cila do të luhet nesër në orën 20:45 në stadiumin e ri kombëtar “Air Albania Stadium”, e vlefshme për ndeshjen e fundit të grupit H, u shpreh se po ta kishte drejtuar kombëtaren më përpara do kishte pasur më shumë kohë për të njohur grupin e për të arritur rezultate më të mira dhenë këtë kuadër ai premtoi se në të ardhmen kuqezinjtë do arrin rezultate edhe më të mira.
“Takimet janë më të rralla. Ke më shumë kohë për të zgjedhur lojtarët. Fola me Deschamps-in dhe më tha se ishte i kënaqur me Francën dhe stresi nuk ishte i njëjtë si të punosh me ‘Juven’. Më vjen keq që nuk erdha më përpara të drejtoja Shqipërinë, të njihja më tepër ekipin dhe nëse do të kisha më shumë kohë do të kishim tjetër rezultat. Për të ardhmen do të kemi rezultate më të mira”, – tha Reja.
“Kemi 4 lojtarë me dëmtime. Cikalleshi, Abrashi, Xhaka apo Kamberi, kemi një ekip që i zëvendëson si duhet ata që mungojnë. E dimë se Franca është kampione bote dhe janë të fortë, por nuk fitojnë gjithmonë më të fortët. Duhet të përdorim kokën dhe jo vetëm zemrën, duhet të përgatitemi si duhet dhe në nivelin taktik. Kemi përgatitur gjithçka dhe në stadiumin e ri shpresoj të shohim një Shqipëri tjetër”, – shtoi tekniku kuqezi.
“Kur futesh në fushë, futesh me idenë për të fituar ndaj çdo kundërshtari. Kundër Andorrës gabuam shumë në mbrojtje dhe jo në sulm. Jam dakord që nuk bëmë mirë, por me Francën është tjetër histori. Andorra nuk fitonte prej 8 vitesh jashtë dhe ne na bëri 2 gola, duhet të kuptojmë se çfarë nuk shkoi. Franca nuk mbyllet si Andorra dhe luan në sulm. Ne duhet të mbrohemi mirë dhe duhet të provojmë që t’i sulmojmë me inteligjencë. Duhet të jemi shumë inteligjentë dhe të punojmë me mend”, – theksoi Reja. /atsh