Loading...

Reja: I emocionuar që do të jem trajneri i parë në stadiumin e ri kombëtar

Trajneri i Kombëtares Edi Reja, është shprehur tepër i emocionuar dhe krenar që do të jetë tekniku i parë i kombëtares kuqezi që do të shkeli në qilimin e gjelbër të stadiumit “Arena Kombëtare”, i cili do inaugurohet pikërisht më datën 17 nëntor në sfidën ndaj kombëtares Franceze.

Trajneri Reja, deklaratën e tij e ka bërë të dielën në mesditë gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar në Tiranë, në kuadër të nisjes zyrtare të përgatitjeve për dy sfidat e fundit të grupit H, ku Shqipëria do të jetë e impenjuar në përballjet ndaj Andorrës më datë 14 nëntor ora 20:45 dhe të dielën e 17 nëntorit, në Tiranë, ndaj Francës. Ndeshje këto të vlefshme për eliminatoret për Grupin H, Euro 2020.

Reja i pyetur për inaugurimin e stadiumit “Arena Kombëtare” deklaroi se ndihet krenar për mundësinë që i jepet, teksa shtoi se kolegët e tij mund ta kenë dhe pak “xhelozi” për këtë mundësi që i jepet teknikut italian të kombëtares Shqiptare.

“Është një emocion për mua. De Biazi dhe Panuçi do jenë xhelozë. E kuptoj këtë gjë dhe ndihem krenar që do inauguroj këtë stadium. Kam një karrierë të gjatë dhe kam pasur shumë emocione, por ky është një privilegj. Kam ftuar gruan dhe vajzën dhe besoj se do jenë aty. Stadiumi i ri do na japë stimuj dhe me 21 mijë tifozë në shkallë ekipi do ketë një shtysë më shumë. Do jetë kartëvizita jonë dhe shpresojmë të na ndihmojë të rritemi edhe më dhe kushdo që do vijë të ndeshet te stadiumi do vlerësojë edhe më shumë Shqipërinë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Është një stimul i madh për të gjithë”-, tha Reja.

I pyetur për Çikalleshin, Reja shprehet se ndihet i keqardhur. “Për Cikalleshin më vjen keq, pasi që kur kam qenë këtu ka qenë një lojtar deçiziv. Mendoj se kemi një kontingjent të përshtatshëm, kemi alternative. Kemi pritshmëri të larta për të vëzhguar Kamberin. Kam gjithmonë për ndërrime, pasi kam disa lojtarë për të bërë atë që më duhet. Kemi bërë një rritje shumë të rëndësishme për sa i përket edhe lojës”-, tha Edi Reja.

“E ndjej veten pjesë të projektit. Do flasim me federatën për atë se çfarë do të bëjmë në të ardhmen sepse kemi nisur diçka të rëndësishme kemi aktivizuar shumë elementë të rinj dhe tani është radha e Kamberit”, -theksoi Reja. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com