“Ministeriali i Drejtësisë” i organizuar në Maqedoninë e Veriut dhe me pjesëmarrjen e komisioneres për çështjet e Drejtësisë, Vera Jurova vlerësoi se implementimi i Reformës në Drejtësi në Shqipëri është shndërruar në një shembull inkurajues për drejtësinë rajonale. Kështu tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e cila po merr pjesë në këtë ministerial.
“Është gjithmonë kënaqësi kur dëgjon se implementimi i reformës sonë në Drejtësi është shndërruar në një shembull inkurajues për drejtësinë rajonale, ku padyshim kemi shumë më shumë për të mësuar nga njëri-tjetri, duke respektuar rekomandimet e GRECO, Komisionit të Venecias dhe Këshillit Europian”, – u shpreh Gjonaj.
Ministrja Gjonaj pati mundësinë që në këtë ministerial të diskutojë hollësisht mbi arritjet dhe të tregojë mbi sfidat e përbashkëta si: përshkallëzimi i luftës kundër krimit transnacional, pasja e një sistemi gjyqësor efektiv duke përfshirë digjitalizimin, reformat në sistemin penitenciar, adresimi i problematikave dhe bashkëpunimi i mëtejshëm me agjencitë e BE-së.
“Pasja e një drejtësie me standarde europiane, është një objektiv i përbashkët i cili bëhet më i arritshëm nëse të gjithë punojmë bashkë për t’i dhënë qytetarëve tanë sistemin dinjitoz që ata meritojnë”, – tha ministrja e Drejtësisë. /atsh