Loading...

Rama përgëzon Policinë: Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit

Kryeministri Edi Rama përgëzoi sot Policinë e Shtetit për punën e shkëlqyer për zbardhjen e ngjarjes kriminale, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.

Në një reagim Kryeministri Rama u shpreh se do të jetë gati brenda muajit nëntor Ligji Special kundër personave të dënuar, akuzuar a hetuar brenda/jashtë vendit për krim të organizuar apo krime të rënda dhe masat speciale kundër KÇK-së.

“Përshëndes me respekt punën e shkëlqyer të Policisë së Shtetit për zbardhjen e ngjarjes kriminale, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit. Brenda muajit Ligji Special kundër personave të dënuar, akuzuar a hetuar brenda/jashtë vendit për krim të organizuar apo krime të rënda dhe masat speciale kundër KÇK-së. Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit të organizuar dhe do të reagojmë frontalisht ndaj gjykatësve e prokurorëve të inkriminuar, që duan “të kapin ç’të kapin”, deri ditën kur kanë radhën e spastrimit nga Vetingu”, – thekson Rama.

Kreu i qeverisë shprehet se deri në fund do të ketë zero tolerancë.

Policia e Shtetit deklaroi sot se “nga tërësia e provave të sekuestruara dhe bazuar në dyshimet e aryeshme u bë ekzekutimi i urdhër-ndalimit të lëshuar nga Prokurori i Krimeve të Rënda për shtetasin R. Rr, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë-Krujë, i dyshuar si një nga autorët e mundshëm të plagosjes me armë të prokurorit dhe dy shtetasve të tjerë”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com