Kryeministri Edi Rama vizitoi sot në Durrës, banorët e prekur nga tërmeti, të cilët i informoi mbi masat që po merr qeveria që nga sistemimi i përkohshëm i tyre deri në planin për rindërtimin e banesave.
“Po bëjmë një regjistrim. Këtu ka dhe njerëz që i kanë shtëpitë dhe nuk rrinë nga tërmetet sa të kalojë trauma. Do të bëjmë regjistrimin e plotë. Faktikisht nëse shtëpia del e pabanueshme do të bëjmë akomodimin në hotel”, siguroi Rama një banor, të cilit i ishte dëmtuar rëndë shtëpia.
Rama tha se “akomodimi në hotele do të bëhet për ata që nuk rrinë në shtëpi”. “Do t’ju çojmë në hotele, me ngrohje, ushqim, shërbim dhe ndërkohë ne do të fillojmë gjithë procesin e rindërtimit, por nuk bëhet dot për një javë apo për një muaj do kohën e vetë, se nuk do të bëjmë shtëpi kartoni. Nuk është vetëm çështja e buxhetit, por është planifikimi, rindërtimi që do kohën e vetë”, tha Kryeministri.
Kryeministri iu përgjigj edhe një tjetër banoreje që u ankua për strehimin. “Zonjë, do t’i shohim të gjitha një për një. Ky nuk është një proces i atyre që nuk kanë strehim prej kohe, por për t’i dhënë strehë atyre që iu shemb shtëpia nga tërmeti. Dhe për të gjithë ata që ju takon, ne do të bëjmë akomodimin në hotel”, tha Rama.
Një tjetër banor tha se pallati është komplet i pabanueshëm. “Do bëjmë listën e njerëzve që janë përjashta, do t’i çojmë në hotel dhe pastaj do të bëjmë riparimet, rindërtimet e të gjitha”, siguroi Rama.
Kryeministri falënderoi po ashtu një pensionist nga Dibra, i cili kishte vënë në dispozicion banesën e tij për të strehuar një prej familjeve të dëmtuara.
Një tjetër banor shprehu padurimin, ndërsa pyeti kryeministrin se çdo të bëhet me banesën e tij. “Në 24 orët e para ne jemi marrë me ata që kanë qenë nën rrënoja dhe jemi munduar të shpëtojmë çdo jetë nën rrënoja. Jemi përqendruar atje. Për të gjithë ata që realisht kanë humbur shtëpitë apo i kanë të pabanueshme, kemi krijuar këtë zgjidhje emergjente në çadra, për momentin. Unë e respektoj edhe humbjen, edhe hallin edhe shqetësimin ndaj dëgjoj e duroj më shumë se zakonisht”, i tha Rama banorit.
“Nuk je në rrugë, je në fushë në çadër. Tani është duke u bërë ky inventar, dhe do të marrim bashkë me familjen do t’ju çojmë në hotel, pasi nuk mund të rrish në të ftohtë në tendë pa u larë, pa u tharë, pa ushqim të ngrohtë, pa mësimet e fëmijës. Do të rrish në hotel si zotëri dhe si i takon dinjitetit të gjithkujt që e ka goditur një fatkeqësi”, iu drejtua Rama banorit.
Rama tha se “ne do të shpëtojmë jetën e njerëzve, do nxjerrim trupat e atyre që kanë humbur jetën dhe do të bëjmë inventarin e atyre që nuk kanë shtëpinë e banueshme do t’i çojmë në hotel”.
Kryeministri falënderoi po ashtu një zonjë e cila vuri në dispozicion banesën për strehimin e një familje, ndërsa e orientoi që kontributin ta japë përmes faqes së qeverisë.
Rama tha se duhen parë një për një të gjitha pallatet e ndërtuara në vitet ’90. “Shtëpinë sot për sot nuk e bëjmë dot. Do rrish këtu, do të regjistrojmë dhe brenda 2-3 ditësh do të çojmë ty dhe familjen në hotel, ndërkohë që ne do të bëjmë gjithë procesin. Ne jemi gati të çojmë atje edhe 1 mijë familje, por ata që e meritojnë për shkak të fatkeqësisë, nuk po zgjidhim problemin e strehimit në Durrës”, tha Rama.
Ai falënderoi po ashtu efektivët e Forcave të Armatosura që po ndihmojnë banorët e strehuar përkohësisht nëpër çadra, të cilëve u kërkoi të bëjnë durim, sepse njerëzit nuk kanë faj edhe nëse thonë një fjalë më tepër pasi janë të shqetësuar./atsh