Loading...

Rama: Historia e njerëzve që torturohen çadrave merr fund që nesër për Thumanën

Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste të drejtpërdrejtë nga Thumana dhënë për emisionin “Open”, deklaroi se nga dita e nesërme nuk do ketë më asnjë çadër në këtë zonë, më të prekurën nga tërmeti, i cili ka shkaktuar zyrtarisht 46 viktima dhe të gjithë të mbijetuarit e kësaj tragjedie do të sistemohen në hotele. Kreu i qeverisë tha se e njëjta skemë do të ndiqet edhe për zonat e tjera, ku banorët e mbetur pa strehë nga tërmeti janë sot nëpër çadra, në mënyrë që historia e çadrave, siç tha ai, të marrë fund përgjithmonë me zgjidhjen që qeveria i ka dhënë kësaj situate në bashkëpunim me sipërmarrësit e hoteleve.

“Ne në Shqipëri kemi jetuar gjithëfarëlloj fatkeqësish, pavarësisht se jo të këtyre përmasave, e megjithatë s’ka ndodhur ndonjëherë që të kenë mundësi të shkojnë në hotelet më të mira që ka bregdeti ynë. Iu thashë që në ato hotele prenotojnë nga sot për të ardhur në verë çekë, polakë, anglezë, norvegjezë, pra, njerëz që paguajnë e vijnë nga larg për të shkuar. Ndërkohë që ju do shkoni atje dhe historia e çadrave do mbyllet nesër për pikat kryesore, pastaj për disa ditë nuk do lëmë asnjë çadër,” – deklaroi Rama.

Kryeministri i është përgjigjur ashpër edhe baltës së lëshuar nga disa medie sa i përket menaxhimit të situatës së krizës.

“Çadrat e fatkeqësive kthehen në pika gjuetie për disa që e poshtërojnë profesionin fisnik të gazetarëve, – ndërkohë që shumica e tyre janë për t’u dekoruar me medalje nga ky shtet për sakrificën në terren, – apo të tjerë që e përdorin për përfitime, apo njollosin një përpjekje heroike të mijëra njerëzve kjo duhet të mbarojë. Patjetër që ka patur episode të pashmangshme konfuzioni, por ato kthehen në episode sikur mijëra heronj nuk ekzistojnë, apo kur përhapin lajme të rreme që është vënë trau për ata që sjellin ndihma, kjo duhet të mbarojë,” – u shpreh ai.

Rama tha se të gjithë ata që përjetuan tragjedinë ndër më të rëndat që ka parë vendi ynë do të kenë përkujdesjen maksimale nga qeveria, e cila, siç u shpreh ai, ka dhënë për herë të parë në histori të tilla fatkeqësish natyrore një zgjidhje ideale sa i përket përballimit të pasojave, që është sistemimi në hotel.

“Do shkojnë dhe do trajtohen si zotërinj. Do të kenë kuzhinierë, kamerierë, grup infermierësh e mjekësh që do jenë në dispozicion për të gjithë këtë infrastrukturë. Do i marrim gjitha listat. Do kenë ilaçet që ju duhen. Nuk do kenë asnjë problem, vetëm duhet të kenë durim. Kjo është një zgjidhje ideale që nuk i ka shkuar mendja njeriu që mund të ndodhte këtu në vendin tonë. Më vjen mirë që, kur t’i çojmë në hotele s’do keni më mundësi të bëni lajme të rreme. Nuk e kam për shumicën dërrmuese, për gazetarë e terrenit, por për disa që nuk iu del e keqja. Unë në 22 orët që jam zgjuar, prej 3 netësh, unë flas me njerëzit dhe miqtë ndërkombëtarë. Në makinë kam të vetmen drogë që më kapur mua që është kjo [telefoni] dhe ndjek këto, pastaj helmohem,” – u shpreh Kryeministri. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com