Kryeministri Edi Rama vizitoi sot “Qendrën e Solidaritetit Fundjavë Ndryshe”, ku janë strehuar shumë prej të prekurve nga tërmeti.
Rama u shpreh se me Arbërin (Hajdari) kishim menduar ta çelnim me një ceremoni në festat e fundvitit, por Zoti a Natyra e bënë të hapej nga dhimbja e tragjedisë së këtij fundmuaji.
Drejtuesi i qendrës, Arbër Hajdari u shpreh se, “kemi strehuar njerëz, gatuhet, kemi shkarkuar trajlera që kanë ardhur nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kemi shpërndarë ushqime të gatshme në Thumanë, Durrës, Sukth, Laç, Lezhë dhe vazhdon. Presim dhe 12 trajlera të tjerë që janë duke ardhur. Mendoj që duhet të ulim në tryezë palët e interesuara dhe të fillojmë planin e rindërtimit. Duhet të piketojmë individët që kanë abuzuar, nuk duhet t’i lëmë të shpëtojnë, qoftë ata online që kanë qenë më problematikët”.
Rama u shpreh se, “para disa minutash më dhanë informacion që ishte arrestuar njëri që kishte bërë një faqe Rilindja dhe merrte lekë online”.
Këto, tha Hajdari, “mendoj se duhen futur në burg sepse prishin të gjithë humanizmin e njerëzve. Ne deri tani kemi grumbulluar 1.5 milionë dollarë nga e gjithë bota rreth 60 mijë donatorë”.
Rama, u shpreh se, “kjo që kemi vendosur ne është që të ecim me këtë frymë që kemi ngritur dhe gjithë këtë infrastrukturë këtu. Por tani me këtë sfidë gjigante që na ka rënë mbi supe Komuniteti Kombëtar i Rindërtimit është një strukturë që është në funksion të Komitetit të Emergjencave për periudhën e emergjencës dhe pastaj të qeverisë për vazhdimin dhe që është një tryezë ku janë përfaqësues të qeverisë, përfaqësues të organizatave solidare për njerëzit në nevojë që janë këto organizatat e mëdha, ku patjetër është dhe Fundjavë Ndryshe”.
“Të vendoset përpara harta e problemeve, të bëhet ndarja e detyrave, pastaj të ketë standard për planifikimin, të ketë standard për ndërtimin, për monitorimin e parasë. Ju kontrolloni dhe atë që ne shpenzojmë nga buxheti. Ne kontrollojmë dhe atë që shpenzoni që e keni mbledhur vetë dhe publikut i thuhet që jemi të gjithë. Në raste të tilla duhet të bëhemi bashkë. Fjala vjedh duhet të zhduket nga fjalori. Kjo është shumë sensitive dhe aq më tepër që këtu është dhënë kaq shumë lekë me zemër dhe po jepet kaq shumë lekë me zemër sa që është e pafalshme të shkojë nëpër duar të gabuara, apo të shkojë nëpër xhepa në vend që të shkojë në themelet e programit dhe të shtëpive”, – theksoi Kryeministri Rama.
Kryeministri u shpreh se, “duhet të bëjmë dhe një program të përbashkët për trajnimin e vullnetarëve për emergjencat dhe koordinimin e të gjitha forcave. Jo vetëm forcave brenda shtetit, por edhe forcave të tjera siç e ka e gjithë bota. Çohen të gjithë njerëzit, por nuk dinë ku të shkojnë. Ndërkohë që duhet të kenë një sistem vullnetarizmi që dihet unë në rast emergjence jam i regjistruar si vullnetar dhe jam gati të marr pjesën time. Kush është pjesa jote? Do shkosh në filan pikë për të shpërndarë ujë. Do shkosh në filan pikë për të ndihmuar të moshuarit. Do shkosh në filan pikë për të nxjerrë nga përmbytja, se larg qoftë, jo më tërmete se u lodhëm, u shkatërruam fare”./atsh