Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbështet zhvillimin e arsimit profesional praktik dhe modern për të plotësuar nevojat e biznesit me fuqi punëtore të kualifikuar.
E pranishme në konferencën e parë të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, theksoi rëndësinë e kualifikimit të fuqisë punëtore në përputhje me nevojat e tregut të punës.
Në këtë konferencë morën pjesë dhe Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, Sekretarja e Shtetit të landit Rheinland-Pfalz në Gjermani, Daniela Schmitt, Drejtori i Dhomës së Zejtarisë së Koblenzit, Ralf Hellrich si dhe Presidenti i Dhomës Kombëtare të Zejtarise, Luan Bregasi.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja u shpreh se qeveria është e angazhuar për zhvillimin e një sistemi arsimor profesional të orientuar drejt kurrikulave bashkëkohore të bazuara mes ndërthurjes së teorisë me praktikën.
Numri i nxënësve në shkollat e arsimit profesional është rritur në mënyrë të ndjeshme, me rreth 3.4%, falë vëmendjes së shtuar të qeverisë ndaj arsimit profesional në vitet e fundit, duke synuar një përshtatshmëri më të madhe me nevojat e tregut të punës dhe biznesit.
Numri i nxënësve në 35 shkollat e arsimit profesional në vend është rreth 20 mijë. Megjithatë ministrja Denaj u shpreh se ky numër është i pamjaftueshëm për nevojat e tregut të punës dhe në këtë drejtim duhet të rritet bashkëpunimi mes qeverisë, biznesit dhe aktorëve në tregun e punës.
Gjithashtu, Ministrja theksoi se gërshetimi i teorisë me praktikën është tepër i rëndësishëm për arsimin profesional.
“Arsimimi dual, me 50 % kohë në trajnim dhe 50% kohë në punë, është një edukatë gjermane, të cilën mund ta adoptojmë në kushtet shqiptare, për të parë aty ku nevojat janë të përshtatshme për të realizuar një objektiv të tillë”, tha Denaj.
Në zbatim të ligjit “Për nxitjen e punësimit, i miratuar këtë vit, është krijuar dhe Agjencia e Kombëtare e Punësimit dhe Arsimit Profesional, e cila bashkon në një institucion të vetëm Shërbimin Kombëtar të Punësimit me Qendrat e Formimit Profesional.
Nëpërmjet krijimit të Agjencisë, vlerësoi znj. Denaj, do të ridimensionohet procesi i ndërmjetësimit, në mënyrë që ai të mos ndodhë vetëm në momentin e ndërmjetësimit në zyrat e punës, por edhe më herët lidhur me nevojat për trajnime dhe kualifikime të fuqisë punëtore.
Ministrja Denaj u ndal edhe në rëndësinë që ka roli i “zejtarëve” në kuadër të zhvillimit ekonomik të vendit dhe u shpreh se MFE do të vijojë punën e saj për të stimuluar zejtarët, në mënyrë që aftësitë e tyre të trashëgohen ndaj brezit të ri.
Një prej masave më të afërta që do ndërmerret, në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Zejtarisë është krijimi i Regjistrit të Zejtarëve, i cili do të mbajë informacionin për çdo zejtar dhe biznes zejtar.
Ministrja shprehu vlerësimin edhe për mbështetjen që qeveria e Gjermanisë ka dhënë për zhvillimin e arsimit profesional në Shqipëri, nëpërmjet projekteve të ndryshme, të cilat kanë rritur nivelet e kurseve të arsimit profesional dhe kapacitetet në të gjitha nivelet./atsh