Për herë të parë në Shqipëri aplikohet votimi elektronik në një parti politike për zgjedhjen e delegatëve të partisë.
Partia Socialiste nisi sot zgjedhjet në të gjithë vendin për delegatët e partisë për Kongresin e janarit i cili do të rifreskojë strukturat e PS-së.
Partia Socialiste është e para parti që përveç zgjedhjeve sipas parimit “një anëtar, një votë” do të aplikojë votimin elektronik.
Sekretari Organizativ dhe Elektoral i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi në një prononcim për mediet tha se në fund të procesit do të zgjidhen 706 delegatë që do të përfaqësojnë 103056 anëtarët e Partisë Socialiste në Kongres, i cili do të zgjedhë edhe Asamblenë e re të Partisë Socialiste dhe Kryesinë e re të Partisë Socialiste, duke përmbyllur kështu të gjithë procesin e rinovimit të strukturave të Partisë Socialiste.
“Ky është një hap shumë i rëndësishëm për ne. Është një nga dy proceset që ne zhvillojmë nëpërmjet votimeve të “një anëtar, një votë” për delegatët e Kongresit dhe për kryetarin e partisë dhe mendojmë që demostron demokracinë e brendshme të partisë dhe forcën e përfaqësim të anëtarësisë së partisë në strukturat e veta”, tha ai.
“Këtu në selinë e partisë, ku voton Njësia nr.8, ne jemi duke eksperimentuar edhe disa mënyra të tjera të votimit, moderne, sikurse është votimi elektronik , ku edhe unë sapo votova në mënyrë elektronike. Ishte një votim relativisht i thjeshtë. Unë qëllimisht nuk u njoha me këtë proces edhe në fazën e provave të tij, për ta parë vetë, nëse ishte një proces që mund të bëhej thjeshtë apo mund të kishte komplikime. Në këndvështrimin tim rezulton një proces i thjeshtë, megjithatë do të shohim edhe rezultatet se si do të implementohet nga e gjithë struktura e anëtarësisë së partisë të Njësisë nr. 8, për t’ia sugjeruar më pas, Komisionit të Reformës Zgjedhore nëse është një proces që është në kohën e duhur apo nuk është në kohën e duhur”, tha Pëllumbi.
“Nga ana tjetër kemi dhe një proces tjetër që po zhvillon një grup prej 100 vetësh të zgjedhur të Njësisë 8 me votimin online. Ai ka filluar që ditën e premte, pra votimi online në ndryshim nga ai elektronik ka përparësinë që të jep mundësinë që t’i të votosh disa herë, në fund fare merret votimi i fundit i këtij procesi on-line. Nga krahu tjetër, duhet të kemi parasysh, që në rast se dikush nga këta njerëz, i cili ka votuar online paraqitet fizikisht dhe voton në mënyrë elektronike, atëherë përparësia i kalon prezencës fizike, pra i kalon votimit elektronik”, tha ai.
“Nga ana tjetër kemi lidhur një kontratë me Postën Shqiptare për votimin me postë, që do ta shfrytëzojmë për emigracionin, pra për votimin e delegatëve që vijnë nga emigracioni, por ky është një proces që do të ndodhë në javët në vijim, meqënëse edhe delegatët që vijnë nga emigracioni përcaktohen në javët në vijim”, detajoi ai.
“Besoj që me të tre këto forma, përfshirë edhe votimin tradicional që e kemi në gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë , ne jemi duke testuar dhe njëkohësisht përgatitemi për ndryshimet që duam të bëjmë në Kodin Zgjedhor, duke treguar që ne si forcë politike jemi të hapur për të gjitha propozimet që mund të vijnë dhe të përgatitur për çdo lloj situate modernizimi të sistemit”, theksoi Pëllumbi.
“Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi edhe votimin e emigrantëve. Emigrantët tanë janë një pjesë e rëndësishme e vendit, sidomos kur vjen fjala për pushtetin lokal ata janë po aq të rëndësishëm sa edhe ne që jetojmë këtu dhe në mënyrë të veçantë, kur vjen fjala për pushtetin politik ata janë po aq të interesuar sa edhe ne që jetojmë këtu , kështu që edhe prezenca e tyre në votime nëpërmjet këtyre formave, ndoshta mund të bëhet më e thjeshtë dhe më e lehtë, gjithsesi do t’i takojë Komisionit të Reformës Zgjedhore për të gjykuar për këto aspekte. Ne sot jemi duke testuar dhe do të shohim se si do të jetë rezultati i tyre”, tha ai.
Procesi i votimit nisi sot në mëngjes në orën 08:00 në të gjithë Shqipërinë.
Risi tjetër e Partinë Socialiste, është barazisë gjinore, pasi nga 698 kandidate ose 47% e totalit, janë gra. Sipas strukturave të PS, janë marrë të gjitha masat organizative për realizimin me sukses të një procesi demokratik, transparent dhe me standarde./atsh