Sot, në Muzeun Historik Kombëtar u promovua filmi dokumentar “Saga e Dinejve”. Ky film dokumentar ka për skenaristë Lia Ramën dhe Enver Kushin. Regjia i përket Mjeshtrit të Madh, Kujtim Gjonaj dhe drejtor fotografie, Spartak Papadhimitri.
Dokumentari flet për familjen e Dinejve, një familje e rëndësishme dhe e madhe çame. Dinastia e Dinejve zë fill me Abedin Pashë Dino, i cili ka qenë nëpunës e politikan i Perandorisë Osmane, ideolog i çështjes kombëtare shqiptare dhe rilindas. Vazhdon më tej me Rasih bej Dino, i cili ishte politikan, diplomat dhe një figurë e lëvizjes kombëtare shqiptare, në fillim të shekullit të 20-të.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, e hapi aktivitetin duke thënë se takime të tilla nuk kanë nevojë për protokoll. “Janë takime zemrash dhe miqsh. Kam nderin të prezantoj një dokumentar shumë të rëndësishme për kombëtarinë tonë të perbashkët. Kjo familje e madhe e Çamërisë ka dhënë një kontribut në historinë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve. Ky film na bën të mundur të depërtojmë sa më thellë në familjen e madhe të Dinejve”, theksoi ai.
Më pas skenaristi Enver Kushi theksoi se me regjizorin Gjonaj ka patur një bashkëpunim shumë të frytshëm prej shumë vitesh. “Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar për këtë dokumentar, pasi dhe unë jam një djalë i Çamërisë”, vazhdoi më tej skenaristi Enver Kushi.
“Kujtimi i ka bërë një lapidar të pavdekshëm Çamërisë sonë. Do ta mbyllja me një varg kuptimplotë të Abedin-it, disa ditë para vdekjes, i cili thotë: “Fëmijët e vitit 3000 do qeshin e tallen me ne”. Ne çamët, kemi një përgjegjësi të madhe për brezat që do të vijnë dhe duhet të investojmë shumë për historinë e vendit tonë”, tha ai. /atsh