Agim Bendo, gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, ka dhënë dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Siç njoftohet nga Këshilli i Lartë i Gjyqësor, në mbledhjen e sotme do të shqyrtohet si pikë e fundit të rendit të ditës, pikërisht projektvendimi “Për mbarimin e statusit të magjistratit, të gjyqtarit Agim Bendo, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit”.
Verifikimet për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Agim Bendo, kanë nisur gjatë muajit shtator të vitit 2018, ndërsa në ditët në vijim pritej që gjyqtari të dilte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Mbledhja e sotme e KLGJ ka në rend të ditës pesë pika. Fillimisht KLGJ do shqyrtojë raportin e informacionit periodik të Kryetarëve të Gjykatave në lidhje me veprimtarinë gjyqësore, për periudhën Prill-Qershor 2019. Më pas KLGJ, do shqyrtojë projektvendimin për trajnimin e magjistratëve, si dhe disa ndryshime mbi magjistratët udhëheqës. Po ashtu do verifikojë kushtet dhe kriteret ligjore të kandidimit për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profil gjyqtar, të kandidatit Elis Dine. /atsh