Loading...

Prezantohet nesër Paketa Speciale anti KÇK, mekanizëm që shkatërron themelin e foleve të krimit

Kryeministri Edi Rama tha se do të prezantohet nesër Paketa Speciale AntiKÇK, një mekanizëm i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit.

Kryeministri deklaroi sot se “falë ndihmës së ekspertëve të huaj të klasit të parë në luftën kundër terrorizmit, mafias e krimit të organizuar, ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit”.

“Sot kur partnerët strategjikë të Shqipërisë e ambasadat e tyre janë vënë në shënjestrën e politikës mjerane të të çmendurve nga frika e drejtësisë, Paketa Speciale AntiKÇK do të provojë përsëri se sa të paçmueshëm janë këta partnerë në luftën e Shqipërisë për progres e drejtësi”, theksoi Rama.

Ai tha se “pa mbështetjen e SHBA/BE e ndihmën e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, s’do kishte nisur kurrë pastrimi i llumit të madh të (pa)drejtësisë e s’do ishte hapur dot kurrë perspektiva e barazisë së vërtetë para ligjit”.

“Edhe Paketa Speciale AntiKÇK s’do bëhej dot pa ndihmën e tyre”, shtoi Kryeministri./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com