Zëdhënësi i Presidencës Tedi Blushi ka reaguar përsëri lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese duke thënë se “Kushtetuta dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese e kanë të shkruar qartë dhe prerë se Presidenti s’mund të bëjë dy emërime të menjëhershme në Gjykatën Kushtetuese”.
Zëdhënësi Blushi tha pasditen e sotme se “Presidenti Meta nuk ndalon asnjë ambasador të bëhet qesharak dhe karagjoz duke hyrë në debate juridike që nuk ekzistojnë”. Ai gjithashtu shton se “Presidenti nuk i ndalon ata t’i drejtohen vetë Komisionit të Venecias e ta pyesin: Kush është me e rëndësishme, Kushtetuta e Shqipërisë apo Dvorani i Partisë?”
Blushi thotë se Presidenti ka një pyetje për ambasadorët, të cilët i quan dhunues të çdo norme diplomatike dhe Konvente. “A i keni marrë leje Kryetarit të Shtetit tuaj kur hyni në lojërat e grupit të strukturuar diplomatik për të diskutuar dekretet e Kryetarit të një shteti që e ka shpallur Pavarësinë që në vitin 1912?!” – përfundon reagimi i Tedi Blushit. /atsh