Loading...

Plan i përbashkët me policinë dhe doganat për rritjen e sigurisë në port

Rritja e mëtejshme e parametrave të sigurisë në portin më të madh në vend, ishte tema kryesore e takimit të zhvilluar të premten mes drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Gjon Bardhi dhe Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu.

Pas një analize të detajuar të situatës, bashkëbiseduesit u ndalën tek nevoja për të rivlerësuar masat e sigurisë në territorin e portit. Duke shprehur vlerësimin e Autoritetit Portual përkundrejt mbështetjes maksimale që po japin Policia e Shtetit dhe Doganat në këtë përpjekje, Vengu theksoi gatishmërinë e APD-së për të pasur një bashkëveprimin edhe më efektiv me institucionet ligjzbatuese që operojnë në hapësirat portuale.

Si pika hyrëse/dalëse kryesore në vendin tonë, Porti i Durrësit luan një rol kyç nga pikëpamja e sigurisë kombëtare dhe duhet të jetë brenda çdo standardi me elementët e sigurisë, u tha ndër të tjera në këtë takim. Në këtë drejtim u miratua një plan i përbashkët veprimi mes Autoritetit Portual Durrës dhe institucioneve ligjzbatuese, i cili përfshin një numër masash konkrete që synojnë rritjen e sigurisë në Portin e Durrësit në planin afat-shkurtër.

Në takim morën pjesë gjithashtu dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, z. Lorenc SHEHU, Drejtori Vendor për Kufirin dhe Migracionin Durrës, Ndue Doçi dhe përfaqësues të tjerë të Policisë së Shtetit./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com