Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe Autoriteti Menaxhues në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njoftojnë për çeljen e thirrjes së dytë për dorëzimin e aplikimeve në kuadër të Programit IPARD II, nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural (IPARD) me qëllim zhvillimin e Sektorit Agro-Ushqimor.
Thirrja është e hapur për të gjithë personat fizikë dhe juridikë, puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në fushat e prodhimit bujqësor, ose të agro-përpunimit dhe rural me fokus investimet në asetet fizike të fermave bujqësore.
“Aplikoni për Masën 1 “Investime në asete të fermave bujqësore”. Mbështetje me 70% të totalit të investimit, nga 10,000 Euro deri në 500,000 Euro. Thirrja është e hapur nga data 30 Tetor deri në 16 Dhjetor 2019,” shprehet Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.
Me një buxhet total 24.05 milion euro, përqindja e mbështetjes është 60% të totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit, 65% nëse investimi bëhet nga një fermer i ri (nën 40 vjeç), 70% për investimet në zonat malore.
Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 57.68 milion EURO nga të cilat 75% ose 43.26 Milion EURO kontribut i BE dhe 25% ose 14.42 Milion EURO kontribut i buxhetit të shtetit. /atsh