Kryeministri Edi Rama deklaron se paketa speciale AntiKÇK e prezantuar sot, është paketa më agresive ligjore, që një qeveri ka formuluar ndonjëherë në këta 30 vjet, kundër krimit të organizuar dhe aleatëve të tij në sistemin e vjetër e të korruptuar të drejtësisë.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës joparlamentare se ligjin kundër “KÇK-së” është një mashtrim që synon të nënshtrojë drejtësinë dhe të pengojë veprimin e saj kundër krimit të organizuar, Rama thekson se “pres shumë më tepër reagime idiotike ndaj paketës më agresive ligjore, që një qeveri ka formuluar ndonjëherë në këta 30 vjet, kundër krimit të organizuar dhe aleatëve të tij në sistemin e vjetër e të korruptuar të drejtësisë! S’kemi dëgjuar gjë akoma, po ama s’kanë parë gjë akoma”.
“Operacioni Forca e Ligjit (OFL) as nuk dublon, as nuk pengon, as nuk anashkalon institucionet që po lindin nga Reforma në Drejtësi, po është komplementar me to dhe do t’i bëjë një shërbim të madh shoqërisë, në këtë fazë tranzitore të sistemit të drejtësisë! Kaq për momentin”, nënvizon Kryeministri Rama. /atsh