Fotografitë e heronjve që luftuan për të sjellë çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazifashistë janë vendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Bashkë me flamurin kuqezi, portretet e luftëtarëve të lirisë që nuk kursyen as jetën e tyre Qemal Stafa, Vojo Kushi, Mujo Ulqinako, Vasil Shanto etj, janë vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ndërkaq, në vigjilje të 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, bashkia e Tiranës ka ndërhyrë në të gjitha objektet që nderojnë rolin dhe luftën e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pjesë e këtij projekti është edhe rehabilitimi i ambienteve të Parkut Memorial të Varrezave të Dëshmorëve. Gjithashtu, kryeqyteti ka filluar që të vishet me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar.
Bashkia e Tiranës u bën thirrje banorëve të kryeqytetit që të bëhen pjesë e këtyre ditëve festive dhe të vendosin në ballkonet e shtëpive flamujt Kuq e Zi. Festat e Çlirimit dhe Pavarësisë do të bëhen akoma më të bukura nëse secili prej nesh do të vendosë nga një flamur apo simbol kombëtar në dritaret dhe ballkonet e shtëpive. Kryeqyteti ka hyrë në muajin e festave kombëtare, çka po ndihet edhe në të gjithë rrugët e Tiranës. /atsh