Mbi 100 mijë vizitorë kanë zgedhur të vizitojnë Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti.
Përgjegjësi i Zyrës së Turizmit në bashkinë Krujë, Drini Masha, tha sot për ATSH-në se “gjatë muajve janar-tetor ka pasur një fluks të shtuar të turistëve vendas e të huaj në qytetin e Krujës”.
“Krahasuar me vitin e kaluar gjatë 2019 ka pasur rreth 5 mijë vizitorë më shumë”, – tha Masha.
Masha u shpreh se “shumica e vizitorëve janë nga Italia , Polonia, Zvicra, Italia, Spanja, por nuk kanë munguar dhe turistë nga vendet e tjera të Europës si Gjermania, Franca apo Belgjika, si edhe nga kontinenti aziatik, si nga Japonia, Malajzia dhe deri nga Hong Kongu”.
Muzetë janë frekuentuar gjithashtu edhe nga shumë familjarë shqiptarë nga Tirana dhe Prishtina, por nuk kanë munguar edhe nxënësit e shkollave”.
“Turistët kanë shfaqur shumë interes për kulturën dhe historinë e popullit tonë gjatë vizitës në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë”-, thekson Masha.
Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.
Më 1 nëntor Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe shënoi edhe 37 vjetorin e përurimit të tij. Ai u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.
Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavione trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim./atsh