Loading...

Meta: Pa medie të lirë, rruga e Shqipërisë në BE është e pamundur

Në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së dhunës ndaj gazetarëve, presidenti Ilir Meta shprehet se “pa medie të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur”.

Presidenti Meta e konsideron lirinë e medieve të përkeqësuar.

“Liria e medias në vendin tonë fatkeqësisht është përkeqësuar ndjeshëm. Mjedisi dhe kushtet e punës së gazetarëve gjithashtu. Censura dhe autocensura ndihen qartësisht në raportimet e tyre të përditshme. Presionet politike të tejskajshme dhe të shumëllojshme kanë mbyllur emisione televizive dhe kanë larguar nga ekranet figura të spikatura të gazetarisë. Ndërsa panelet e emisioneve politike të mbrëmjes më shumë orientohen nga interesat e oligarkëve dhe PPP-ve, se sa nga interesi publik dhe kombëtar”, -tha ai.

Duke folur për portalet dhe lajmin e rremë, Meta shton se “Shumë portale në të zezë e kanë ngritur “Fake News” në sistem, duke u vënë në shërbim të shtetit të propagandës. Ndërsa praktikat e “kasetave të gatshme” dhe të transmetimeve me “regji qendrore” po u imponohen gjithmonë e më shpesh televizioneve.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së dhunës ndaj gazetarëve apeloj me forcë heqjen dorë nga dhuna fizike e psikologjike, kërcënimi, shantazhimi dhe çdo lloj presioni, ngado që të vijë, ndaj gazetarëve.Shpreh solidaritetin tim të plotë me ta dhe i inkurajoj të vijojnë misionin e tyre me guxim, pa u trembur, në funksion të interesit publik e kombëtar, transparencës e llogaridhënies në çdo nivel shtetëror. Integriteti profesional e njerëzor i tyre të respektohet rigorozisht dhe askush të mos guxojë, për asnjë arsye të intimidojë një gazetar në krye të detyrës. Duke dënuar me forcë dhe ashpërsi çdo formë dhune ndaj reporterëve, theksoj se fjala e lirë dhe liria e medias janë një kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”,- tha ai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com