Loading...

Meta me arbëreshët në Pulja: Identitetin dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë e ka përcaktuar Skënderbeu

“Shqipëria ka vetëm një të ardhme, Europën, identitetin e së cilës ia ka përcaktuar Skënderbeu”, është shprehur Presidenti Ilir Meta gjatë takimit me arbëreshët e rajonit të Puljas në Itali.

Në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij “U’ jam Arbëresh”, Presidenti Ilir Meta vizitoi Komunën e Kazalvekios në rajonin e Puljas, ku u prit nga përfaqësues të shumtë të komunitetit arbëresh dhe autoritetet lokale, të cilat kishin organizuar edhe një aktivitet kulturor për t’i uruar mirëseardhjen Kreut të Shtetit shqiptar.

Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Komunës së Kazalvekios, Noe Andreano e falenderoi Presidentin Meta për vëmendjen dhe kujdesin e përhershëm të treguar ndaj komunitetit arbëresh, veçanërisht të rajonit të Puglia-s, si dhe vlerësoi nismën “U’ jam Arbëresh”.

Pas takimeve me banorët e shumtë që kishin dalë për ta pritur, Kreu i Shtetit mori pjesë në konferencën me temë “Zhvillimi i raporteve social-ekonomike midis komuniteteve arbëreshe dhe Shqipërisë”.

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm personalitete të shumta të pushtetit vendor, Kryetari i Komunës së Casalvecchio, Noe Andreano, Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe i dërguar i Presidentit të Rajonit të Pulias, Domenico Laforgia, Zv/Prefekti i Foxhias z.Ernesto Liguori, si dhe Kuestori i Foxhias, Paulo Sirna.

Në fjalën e tij Meta tha se “Ne u jemi shumë mirënjohës arbëreshëve, sepse jo vetëm kanë ruajtur për shekuj identitetin, historinë, traditën e ritet e tyre, por mbi të gjitha e mbrojtën si të shenjtë figurën e Skënderbeut dhe e rikthyen atë në kohën e duhur për të nxitur rilindjen dhe pavarësinë e Shqipërisë. Ne nuk e harrojmë investimin e jashtëzakonshëm që bënë personalitetet e mëdha të botës arbëreshe si Jeronim De Rada, Zef Serembe e Gavril Dara, për të frymëzuar popullin shqiptar, të shtypur për disa shekuj nën Perandorinë Osmane, për t’u ringritur për pavarësinë e Shqipërisë. E them me bindje dhe ndërgjegje të plotë institucionale, politike e kulturore që ne e kemi shtetin tonë në radhë të parë edhe falë atij kontributi historik të arbëreshëve të Italisë.

“Dua t’i falënderoj përfaqësuesit e shtetit Italian për kujdesin dhe angazhimin e tyre për ta zbatuar sa më mirë në praktikë legjislacionin shumë të avancuar sa i takon mbrojtjes dhe ruajtjes së gjuhës e kulturës së minorancave. Nëse në 5 shekuj arbëreshët ruajtën identitetin, kjo është meritë jo vetëm e karakterit të tyre, por një meritë të jashtëzakonshme ka edhe populli italian. Nga nivelet më të larta deri në ato lokale në Itali kam konstatuar se ka vullnet dhe ndërgjegjësim që trashëgimia kulturore arbëreshe është një pasuri e përbashkët e Italisë dhe e Shqipërisë”, tha ai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com