Gazetat sportive italine “Corriere Dello Sport” dhe “Tuttosport” i kanë kushtuar një artikull “Arenës Kombëtare” duke e cilësuar si “Wembley-n e Ballkanit”.
“Hapet stadiumi i ri me Ceferinin dhe Francën”, shkruan “Corriere Dello Sport”, ndërsa “Tuttosport” e hap artikullin e saj me “Hapet Wembley i Ballkanit.
Gazeta e njohur italiane, ‘Corriera Della Sport’, shkruan në artikullin e saj se stadiumi i ri do të hapet me Francën dhe Ceferin, presidentin e UEFA-s, i cili do të jetë i pranishëm në inaugurimin e stadiumit.
Të paktën 300 të ftuar do të mbërrijnë nga Italia, mes të cilëve dhe Michele Uva dhe Dario Nardella, kryetari i Bashkisë së Firences. Drejtues të lartë shtetërorë do të marrin pjesë, si kryeministri shqiptar, Edi Rama, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta si dhe presidenti i Federatës, Armand Duka, vijon artikulli.
Trajneri i kombëtares, Edoardo Reja ka shprehur emocionet e tij duke theksuar se puna ka qenë e madhe.
“Është një stadium fantastik, e kam parë tri ditë më parë. Është një emocion dhe një krenari e madhe që do të mundem të jem në inaugurim “, thekson ai.
Federata ka investuar 10 milionë euro nëpërmjet fondeve të UEFA-s. Stadiumi i ri do të ketë 22 000 vende, shkruhet në artikullin e “Corriere Dello Sport”.
Edhe gazeta sportive italiane ‘Tuttosport’ e titron artikullin e saj “Hapet Wembley i Ballkanit”.
Ajo e krahason Arenën Kombëtare me ‘La Bombera-n’, stadiumin mitik në Argjentinë ku luan Bocas Junior. Ndër të tjera në këtë artikull veçohet edhe arkitekti i stadiumit, Marco Casamonti, që sipas të përditshmes ka bërë një punë të mrekullueshme duke i dhënë Shqipërisë një impiant modern./atsh