Vazhdon solidariteti vëllazëror i qytetarëve nga Kosova.
Të angazhuar që në orët e para pas rënies së tërmetit për mbledhjen e ndihmave në ushqime e veshmbathje dhe kontribute në shuma financiare, ka filluar edhe marrja e banorëve nga zonat e dëmtuara për t’u akomoduar në Kosovë.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm 30 banorë të Durrësit kanë arritur në Prishtinë, njofton KosovaPress.
Kështu kanë bërë të ditur përfaqësues të Plisave, të cilët kanë njoftuar se edhe gjatë ditës së sotme do të mbledhin ndihma në sheshin “Zahir Pajaziti”.
“Para pak minutash ekipi ynë ka arritur nga Durrësi në Prishtinë. Për momentin jemi te Hotel ‘Ora’ dhe të gjithë janë sistemuar shëndoshë e mirë. Shihemi sot prej orës 10:00 tek sheshi ‘Zahir Pajaziti’”, thuhet në njoftimin e tyre.
Kushtrim Ramadani, përfaqësues i “Plisave”, tha për KosovaPress se aksioni për mbledhjen e ndihmave do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme.
“Lusim të gjithë ata që duan të ndihmojnë, të sjellin më shumë gjëra ushqimore sesa veshmbathje. Gjatë ditës do të shkojmë tri-katër herë në Shqipëri t’i dërgojmë këto ndihma. Për sot nuk kemi ende ndonjë çmim sesa mjete financiare janë mbledhur, mbrëmë kanë qenë 4 mijë euro”, tha ai.
Po kështu edhe në komunën e Pejës kanë mbërritur mëngjesin e sotëm familjet e para, me rreth 60 persona të cilat janë strehuar në familje të kësaj komune.
Ndërkohë vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për personat të cilët ndodhen ende nën gërmadha, si pasojë e tërmetit që ndodhi një ditë më parë. /KosovaPress//