Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka kryer mëngjesin e sotëm kontrollin mjekësor bazë periodik pranë qendrës së saj shëndetësore në Tiranë, ku u shpreh se vetëm gjatë 10 muajve të këtij viti, 411 mijë qytetarë kanë kryer check up-in.
“Ka ndryshuar qasja e qytetarëve që vijnë tek mjeku i familjes jo vetëm kur kanë problematika me shëndetin por për kontrollin mjekësor periodik dhe këtë e tregojnë të dhënat. Këto 10 muaj janë më shumë se 411 mijë qytetarë që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë, ose 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe që nga viti 2015 kur nisi ky program, janë kryer 1.4 milionë kontrolle mjekësore”, tha Manastirliu.
Aktualisht ka dyfishim të qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë që nga viti 2015, kur nisi ky program kombëtar për shëndetin e popullatës dhe parandalimin e sëmundjeve.
Duke theksuar se ka një ndërgjegjësim në rritje të qytetarëve pasi vihet re se këtë vit ka një rritje të qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë në qarqet Kukës, Dibër, Berat dhe Gjirokastër, Manastirliu u shpreh se rezultatet që ka prodhuar kontrolli mjekësor bazë janë shumë të rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve, uljen e invaliditetit dhe mortalitetit nga sëmundjet kronike.
Të dhënat tregojnë se në rang kombëtar 26,2% e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë kanë vlera të larta të Kolesterolit (yndyrna të larta) që rrezikojnë të preken nga probleme të enëve të gjakut, zemrës dhe trurit nëse nuk ndryshojnë stilin e jetesës. Në rang kombëtar 14,5 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë janë pre-diabetik ndërsa 8,6 % janë me diabet.
Në rang kombëtar 13,4 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë janë anemikë; 6,73 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë rezultojnë me rritje të vlera të larta të enzimave të mëlçisë.
Janë zbuluar nga Kontrolli Mjekësor Bazë 400 raste me forma të ndryshme të leucemisë, të cilat janë ndjekur në kohë.
Prej prillit 2015 zbatohet në të gjithë vendin programi i kontrollit shëndetësor bazë pa pagesë për të gjithë shtetasit rezident të grupmoshës 35-70 vjeç. Përveçse qytetarët e kanë përfituar falas këtë shërbim shëndetësor, kontrolli mjekësor bazë ka ndikuar edhe në uljen e kostove të trajtimit të tyre, duke ulur invaliditetin dhe mortalitetin nga sëmundjet jo të transmetueshme. /atsh