Loading...

Lorik Cana motivon kombëtaret e Shqipërisë dhe Kosovës

Shqipëria dhe Kosova do të luajnë sonte në 20:45 ndeshjet kualifikuese të radhës për EURO 2020.

Me këtë rast kapiteni legjendar kuqezi, gjakovari Lorik Cana ka motivuar dy ekipet përfaqësuese duke publikuar dy foto në rrjetet sociale.

Përfaqësuesja kuqezi pret Andorrën në “Elbasan Arena”, ndeshje kjo që ka shfaqur pak interesim nga tifozët, nisur nga numri i biletave të shitura për këtë ndeshje.

Edhe pse nuk kanë shansin që të përsërisin fatin e 4 viteve më parë në finalet e Europianit të Francës, kombëtarja e Shqipërisë në 2 takimet e fundit kualifikuese kundër Andorrës dhe Francës do të tentojë të thyejë disa rekorde historike.

Shqipëria shkoi në Euro 2016 duke siguruar 14 pikë, por sot, me një fitore të pritshme ndaj Andorrës në “Elbasan Arena”, kuqezinjtë mund të arrijnë të thyejnë këtë kuotë rekord. Në rast fitoreje, djemtë e drejtuar nga Edi Reja do të shkonin në 15 pikë të grumbulluara.

Po ashtu, kombëtarja kuqezi nuk ka fituar asnjëherë 5 ndeshje në një turne kualifikues. Gjithashtu kuqezinjtë nuk kanë fituar asnjëherë pikët e plota përballë 2 rivalëve në grup brenda të njëjtit edicion, duke gabuar gjithmonë një nga ndeshjet ndaj ekipeve që pozicionoheshin në vendet më të ulta në klasifikimin e grupit.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për takimin Republika Çeke-Kosovë.

Dardanët luajnë sot takimin më të rëndësishëm ndaj Çekisë, e në rast fitoreje do të mbaheshin gjallë shpresat për kualifikim. Kosova renditet në vendin e tretë me 11 pikë në grupin A eliminator, i cili udhëhiqet nga Anglia me 15 pikë, e ndjekur nga Republika Çeke me 12 pikë. Dardanët luajnë sot pa lojtarin e tyre kryesor sulmues, Vedat Muriqin, i cili ka pësuar një dëmtim.

Kjo ndeshje do të luhet në “Doosan Arena” të Plzenit në ora 20:45./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com