Ministri i Punëve të Brendshëm, Sandër Lleshaj i ftuar në një studio televizive foli për operacionin e shpëtimi të Alvin Berishës nga kampi Al-Hol dhe për situatën e shqiptarëve të tjerë të ndodhur atje, pas vizitës së tij në Beirut.
I pyetur mbi nismën e këtij operacioni, ministri tha se “nisma për operacionin është ndërmarrë nga Republika e Shqipërisë, na kanë ndihmuar Italia, Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna e Kuqe. Ata kanë vepruar në emër dhe për llogari të shtetit shqiptar. Kemi marrë dhe autorizimin nga babai i tij për lirimin e djalit dhe gjithashtu qeveria italianë ka punësuar ngushtësisht me ne”.
Lleshaj foli rreth vizitës së tij në Beirut ku mbështeti oficerët shqiptar në terren dhe për të vendosur kontakte me autoritetet në vend. “Kam vajtur për të ndërtuar një kanal që do të mundësoj largimin e më shumë fëmijëve që aty. Qëllimi kryesor i vizitës time ka qenë vendosja e kontakteve për të hapur një kanal që do na mundësojë dhe shpëtimin e të tjerëve”.
Sipas ministrit të Brendshëm rruga nga Beiruti ishte rruga më e përshtatshme për të mundësuar kalimin lirisht të Alvinit. Ai thotë se shteti ka dijeni për praninë e grave dhe fëmijëve shqiptar në kampin e Al-Hol ku numri total shkon rreth 70 000 veta.
“Qeveria ka ndërtuar një plan të bazuar mbi gjendjen e para disa javëve që ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Ka ndryshuar kontekstin gjeopolitik. Me largimin e amerikanëve, me futjen e turqve, na u desh të rishikonim planin. Pra ka ndryshuar situata rrënjësisht. Ky plan ka nisur para gati një viti. Plani është ndërtuar në bazë të disa premisave. Këto premisa kanë ndryshuar. Kjo ka bërë që situata të ndryshojë rrënjësish. Pozicioni i kurdëve në raport me gjithë partnerët ka ndryshuar. Kështu u desh të mendohej një zgjidhje tjetër”, – tha ministri Lleshaj duke folu për operacionin për shpëtimin e Alvinit.
Ai shton se, “vizita në Beirut vlen për të ndërtuar kontakte shumë të rëndësishme, me autoritetet fetare në Liban, me shumë titullarë të rëndësishëm, me autoritet të Gjysmë Hënës së Kuqe në Siri dhe kemi shpresë që shpejt do jemi në gjendje që do bëjmë një zgjidhje të këtij problemi. Ne besojmë që ky kanal i ri do funksionojë. Kemi marrë disa garanci. Sigurisht që nuk punojmë me një opsion. Po punojmë në disa krahë me qëllim që t’i japim udhë këtij problemi. Shpresa ime personale është që mund të përdorim këtë kanal për të tërhequr dhe të tjerë”. /atsh