Loading...

Lleshaj me Ambasadorët e Paqes: Secili prej nesh e ka brenda vetes edhe paqen, edhe luftën

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka zhvilluar një takim me Ambasadorët e Paqes që prej vitesh janë aktivë në Shqipëri. Ministri Lleshaj gjatë këtij takimi të zhvilluar në Lezhë, ka vlerësuar punën e përditshme të Ambasadorëve të Paqes me komunitetin që prej vitit 1997 në Shqipëri.

“Me shumë vlerë takimi dhe biseda me Ambasadorët e Paqes, të cilët kanë vite që janë aktivë në Shqipëri dhe kanë lënë gjurmë, në Tiranë e mjedise të tjera. Njoh rolin dhe kontributin e madh të themeluesit, Dom Antonio Sciarra-s, si dhe të tjerëve, që u bënë iniciatorë të kësaj nisme në vitin e mbrapshtë 1997!” shprehet Lleshaj.

“Ambasadorët e Paqes kanë lindur si përgjigje ndaj luftës, ndaj konfliktit, ndaj dhunës, – theksoi ministri i Brendshëm, sipas të cilit, secili prej nesh e ka brenda vetes edhe paqen edhe luftën; edhe konfliktin, edhe mirëkuptimin; edhe të keqen, edhe të mirën. “Puna është se si dhe çfarë duhet të bëjmë ne që t’i japim rrugë të mirës”, theksoi ai.

Ministri shprehet gjithashtu se veprat e ambasadorëve të paqes kanë lënë gjurmë te komuniteti në nevojë.

“Edhe në botë, siç ka vende që jetojnë në paqe prej shumë e shumë shekujsh, ka vende që po ashtu jetojnë në luftë prej shumë e shumë kohësh. Njerëz janë të dyja palët, thjesht njëra palë ka qenë në gjendje t’i hapë rrugë të mirës dhe të ndërtojë paqen, të tjerët nuk kanë mundur”, nënvizoi Lleshaj.

“Krejt arti është si ta ndërtojmë paqen në një situatë, në një vend ku njerëzit janë të prirur në fakt për të bërë dhe luftën. Si ta transmetojmë vlerën?! Nuk na mjafton vetëm fjala, që sigurisht është e rëndësishme. Nganjëherë është më e rëndësishme modeli që jep, sesa fjala që thua. E gjeta këtë frymëzim tek puna dhe veprat e ambasadorëve të paqes dhe gjithçka ata bëjnë, përditë, me komunitetin në nevojë në zonën e Lezhës dhe rrethinat,” shprehet ministri Lleshaj. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com