Loading...

Kurti: Mund të bëjmë hapa të integrimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, pa rënë në kundërshtim me BE-në

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se “ne mund të bëjmë hapa të afrimit dhe integrimit mes Kosovës dhe Shqipërisë për t’u bashkuar pa rënë në kundërshtim me BE-në”.

I ftuar në një studio televizive, Kurti citoi teoricienin Ukshin Hoti kur tha se “guri i provës për BE-në është bashkimi i shqiptarëve”.

“Inkuadrimi ynë në BE varet prej nesh, por edhe për bashkimin kombëtar varet prej nesh. Unë e shoh popullin si faktor kryesor për të gjitha gjërat e mëdha e të vogla që i duam dhe na duhen. Konkretisht, Ukshin Hoti thotë se bashkimi kombëtar dhe Bashkimi Europian nuk e zëvendësojnë njëra- tjetrën, por as e kundërshtojnë njëra-tjetrën”, tha ai.

Kurti tha se “ne mund të bëjmë hapa të afrimit dhe integrimit mes Kosovës dhe Shqipërisë për t’u bashkuar, pa rënë në kundërshtim me BE-në dhe kështu mund të përfitojë edhe BE”.

“BE solli EULEX-in në Kosovë si një lloj testi për policinë e ardhshme europiane. BE ka tendencë të fuqishme të federalizimit, që ndonjëherë thuhet në mënyrë direkte dhe ndonjëherë në mënyrë më tërthore. Ndaj le t’a ndihmojmë edhe ne BE-në duke synuar një federatë tonën. Meqë BE do të bëjë federatën e saj europiane le ta bëjë me federatën shqiptare, si një pilot-projekt për bashkimin a ardhshëm europian”, tha Kurti.

Ai tha se insiston për këtë, për një arsye të thjesht: shqiptarët kanë qenë të ndarë në vilajete në Perandorinë Osmane, kanë qenë të ndarë në republika të ndryshme në Federatën Jugosllave, ato ikën ja ku jemi ne. “Me fjalë të tjera nëse shqiptarët hyjnë edhe një herë të ndarë në një konstruksion më të madh, kjo është brishtësia e atij konstruksioni”, tha Kurti./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com