Me pamje nga rrënojat e frikshme të tërmetit shkatërrimtar ku edhe gjatë orëve të natës vijon pa ndërprerje operacioni për shpëtimin e jetëve njerëzore, kryeministri Edi Rama ka treguar si rrallë herë ndjeshmërinë e tij sa njerëzore aq edhe të përgjegjësisë së detyrës të cilat nuk i ka fshehur përballë një pyetjeje të fundit, pak më personale gjatë një interviste televizive.
“Flasim për impaktin njerëzor që ka sjellë kjo katastrofë edhe te ju. Lexova një status shumë të ndjerë të djalit tuaj, Gregut. Duket se kjo tragjedi ka prekur edhe njerëz të afërt me familjen tuaj”, iu drejtua gazetari Kryeministrit, por ky i fundit nuk ka dashur të personalizojë tragjedinë, as kur është fjala për djalin e tij, kur tha se në këtë fatkeqësi për kryeministrin e Shqipërisë të gjithë mund të ishin Gregu.
“Nuk dua të flas për gjëra që lidhen me aspekte personale apo qoftë dhe të djalit. Unë sot jam në një pozitë që ndoshta është e pamundur ta shpjegoj. Ndoshta është shumë e vështirë të kuptohet, ndoshta shumëkush nga ata që dinë politikën një mizerabilitet, apo një instrument për të vjedhur dhe që kujtojnë se të gjithë jemi njëlloj dhe që kujtojnë se unë rri këtu dhe po jap mish e shpirt për lekë, nuk mund ta kapë, por ndjesia ime shumë e fortë është që sot unë i kam të gjithë këta njerëz të prekur si Gregun,” u shpreh Rama, duke shfaqur anën njerëzore dhe shprehjen e kësaj ndjeshmërie përpara të gjithë shqiptarëve, sidomos kur është fjala për një tragjedi me një përmasë të tillë. /atsh