Loading...

Kryeministri Rama me të mbijetuarit e tërmetit: Do ta kapërcejmë këtë të gjithë bashkë!

“Do ta kapërcejmë këtë të gjithë bashkë”. Është ky premtimi që Kryeministri iu ka dhënë të mbijetuarve të tërmetit që ka lënë pas bilancin tragjik të 46 viktimave, teksa ka takuar në hotelet ku tashmë janë akomoduar familjarët e parë të mbërritur nga zonat më të prekura.

“Shtëpia është bërë copë. Shyqyr që shpëtuam!” – shprehet një prej tyre.

“Punët e Zotit, i di Zoti. Punët tona i dimë ne. Ne do bëjmë tonën dhe do i bëjmë të gjitha. Duhet durim. Do rrini këtu. Do keni trajtim si turistë në sezonin veror. Fola dhe me Astritin, [sipërmarrësin], do kontribuojmë ne që të rrijë i gjithë stafi në punë. Do kemi mjekë dhe infermierë në dispozicion. Nevojë për ilaçe të mos ketë askush, por po pati do ua mbulojmë ne. Ju lutem vetëm përpiquni të merrni frymë thellë dhe mos mendoni më për tërmetin. Mendoni vetëm se si do ta kapërcejmë këtë të gjithë bashkë. E tmerrshme është të jetosh me këtë ndjenjë, por do ta kapërcejmë së bashku. Për të gjallin janë bërë,” – u shpreh Kryeministri.

Duke biseduar me stafin hotelier, kreu i qeverisë ka kërkuar përkujdesje dhe mirëkuptim ndaj kësaj traume njerëzore që duhet trajtuar me dinjitet dhe profesionalizëm.

“Ne do kontribuojmë që hoteli të rrijë hapur gjithë dimrin që mbulimi i kostove të jetë i sigurtë, vetëm se këta nuk janë klientë, janë pacientë, janë njerëz të traumatizuar. Duhet t’i duroni pak. Duhet t’ua bëni edhe më shumë se atyre turistëve që ju ua bëni shumë mirë. Trajtojini si t’i kishit prindërit tuaj,” – u shpreh Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com