Loading...

Kryebashkiaku Leli fton Kuvajtin të bëhet pjesë e projekteve zhvillimore të Vlorës

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ftoi sot Kuvajtin të bëhet pjesë e projekteve zhvillimore të këtij qyteti.

Gjatë një takimi që zhvilloi të mërkurën me Ambasadorin e Kuvajtit në Tiranë, Fayez Mishari Al Jassim, Leli prezantoi disa nga projektet e bashkisë së Vlorës, të cilat sipas tij, po e transformojnë qytetin në standarde bashkëkohore.

Pasi foli për investimet e realizuara gjatë viteve të fundit, kryebashkiaku Leli u ndal konkretisht tek disa nga projektet më të rëndësishme që janë finalizuar, apo që janë në proces realizimi e përgatitjeje, mes të cilave në atë të transformimit të Sheshit të Flamurit, që pritet të nisë në një afat optimal.

“Ne jemi duke bërë përpjekje së bashku me Qeverinë Shqiptare, me Kryeministrin Edi Rama, për t’i dhënë Sheshit të Flamurit, sheshit të të gjithë shqiptarëve, një dimension tjetër”, nënvizoi Leli, duke shtuar se, të gjitha nismat bashkëpunuese të miqve të Shqipërisë në këtë drejtim, do të jenë të mirëpritura.

“Nismat bashkëpunuese të miqve të vendit tim janë absolutisht të mirëpritura dhe unë do ta vlerësoja shumë”, u shpreh Leli, ndërkohë që vlerësoi se, një binjakëzim i Vlorës me një qytet në Kuvajt, do të nxiste më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.

Leli i dorëzoi një kërkesë zyrtare ambasadorit, Fayez Mishari Al Jassim, duke i kërkuar ndërmjetësimin e tij në konkretizimin e kësaj ideje.

“Do të doja që ky takim të shënonte një hap më tepër në bashkëpunimin mes dy vendeve tona”, theksoi kryebashkiaku vlonjat, duke shprehur mirënjohje për çdo punë të përbashkët me Kuvajtin.

Nga ana e tij, Ambasadori Fayez Mishari Al Jassim, tha se vendi i tij është në krah dhe në mbështetje të Shqipërisë.

Ai përmendi me këtë rast, mbështetjen e financimit të projektit të rrugës së Lumit të Vlorës, ndërkohë që shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen me bashkinë e Vlorës.

Në këtë drejtim, Fayez Mishari Al Jassim, vlerësoi se do të ishte më efektiv binjakëzimi i Vlorës me një njësi më të gjerë vendore në Kuvajt, në nivel prefekture, çka do t’i jepte shtysë më tej punëve të përbashkëta.

“Kam katër vite në Shqipëri dhe kam ardhur herë pas here në Vlorë, në këtë qytet që më pëlqen shumë”, tha Ambasadori i Kuvajtit në Tiranë. Ai shtoi se, ka mjaft ide për Vlorën për të cilat do të vazhdonte t’i diskutonte me kryebashkiakun Leli, në një takim të dytë e në vijim.

Nga ky takim, ai u bëri thirrje sipërmarrësve nga vendi i tij për të investuar në Vlorë, ndërkohë që ftoi bashkështetasit e vet të vijnë për turizëm në këtë qytet të bukur, që i ka lënë aq shumë mbresa.

Më tej, takimi mes Kryebashkiakut Dritan Leli dhe Ambasadorit të Kuvajtit në Tiranë, Fayez Mishari Al Jassim, vijoi me diskutimin e projekteve konkrete, të cilat janë hartuar nga studio të huaja dhe që janë në proces së gjetjes së donatorëve, mes të cilave, projekti i transformimit të Portit të Vlorës.

Gjatë një vizite në mjediset e Vlorës së Vjetër, ku është në proces projekti i restaurimit dhe rijetëzimit, përmes një financimi të Fondit Shqiptaro Amerikan të Zhvillimit, AADF dhe Qeverisë Shqiptare, me një fond prej rreth 15 milionë euro,u vlerësua konkretisht puna që po bëhet për modernizimin e Vlorës në përputhje me standardet më të përparuara.

Aktualisht, Kuvajti është mbështetës i projektit të ndërtimit të rrugës së Lumit të Vlorës, një nga investimet më të rëndësishme të realizuara në këtë qark, që është në një fazë të avancuar të punimeve.

Vetëm pak ditë më parë, Leli zhvilloi një takim të ngjashëm me Ambasadorin e Bullgarisë në Tiranë. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com